
Agjencia për Menaxhim Emergjent (AME) ka njoftuar se gjatë të enjtes në Kosovë janë regjistruar 97 vatra zjarri, prej të cilave 26 vazhdojnë të jenë aktive.
Gjatë pasdites është vërejtur një rritje e numrit të zjarreve, duke vënë në sfidë ekipet reaguese në terren.
Situata më e rënduar raportohet në komunat Klinë, Vushtrri, Podujevë dhe Mamushë, ku zjarret kanë shkaktuar vështirësi në menaxhimin e tyre.
Sipas AME-së, nga 97 vatrat e zjarrit, 71 janë lokalizuar falë ndërhyrjes së Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit. Megjithatë, situata mbetet nën kontroll, por mjaft sfiduese për ekipet në terren.
AME ka bërë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim të qytetarëve në parandalimin e zjarreve të reja.