Klinaku: Seanca u caktua më 3 shtator, të shohim nëse Kurti do t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Klinaku: Seanca u caktua më 3 shtator, të shohim nëse Kurti do t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë

    Insajderi
    22 August 2025 - 18:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Faton Klinaku, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të përballet me drejtësinë më 3 shtator 2025, në një seancë të caktuar për shqyrtimin fillestar të një aktakuze për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Bashkë me Klinakun, në këtë rast është i përfshirë edhe një person tjetër me inicialet N.S., i cili po ashtu akuzohet për të njëjtën vepër penale. Sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ngjarja ka ndodhur më 30 gusht 2023 dhe dy të pandehurit dyshohet se e kanë kryer veprën përmes postimeve në rrjetet sociale.

    Përmes një postimi publik, Klinaku bëri të ditur datën e seancës dhe shtoi se mbetet të shihet nëse kryeministri Kurti do të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit, në cilësinë e të dëmtuarit dhe dëshmitarit të Prokurorisë.

    “Shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë është caktuar të mbahet më 3 shtator 2025, në ora 09:00. Ta shohim nëse Albin Kurti do t’i përgjigjet ftesës si i dëmtuar-dëshmitar i Prokurorisë,” ka shkruar Klinaku në Facebook.

    Klinaku  kishte deklaruar në fillim të gushtit se as ai dhe as avokati i tij nuk ishin njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, por kishte shtuar se “mezi pret” të ballafaqohet me Kurtin në gjykatë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar aktakuzën ndaj dy personave të cilët dyshohen se kanë kanosur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

    Sipas aktakuzës, më 30 gusht 2023, Klinaku akuzohet se ka ripostuar një mesazh me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit, ku thuhej:
    “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.” 


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark