
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), ka thënë se përkundër që disa shtete nuk e njohin Kosovën si shtet, i lejojnë kosovarët që të hyjnë me pasaportë.
Por, Pacolli thotë se këtë nuk po e bën edhe Ukraina, duke treguar për një rast ku disa shtetas të Kosovës janë kthyer nga autoritetet ukrainase në kufi me Moldavinë. Pacolli pretendoi se shtetasit kosovarë janë kthyer mbrapsht dhe janë maltretuar, shkruan Insajderi.
Për këtë, Pacolli ka kërkuar që institucionet kosovare të rishqyrtojnë qëndrimet ndaj Ukrainës.
“Ka dhjetëra shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por pothuajse të gjitha u lejojnë qytetarëve tanë hyrjen me pasaportë kosovare. Sot, Ukraina ka kthyer shtetasit e Kosovës në pikën kufitare me Moldavinë – jo vetëm që i ka refuzuar, por i ka ofenduar dhe maltretuar, madje duke i quajtur “terroristë”. Ky nuk është rasti i parë: para disa vitesh, e njëjta Ukrainë veproi në mënyrë skandaloze me ekipin tonë kombëtar të futbollit, të cilët u detyruan të udhëtonin në Gjeorgji për të zhvilluar ndeshjen. Ne këtu në Kosovë vazhdojmë të tregojmë solidaritet dhe dhimbje për ta – ndërkohë që ata na poshtërojnë. A nuk është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj atyre që nuk na respektojnë as dinjitetin më minimal?”, ka thënë Pacolli në postimin e tij. /Insajderi.org/