Rast i trafikimit me migrantë, ndalohen 18 të huaj në Jarinjë në një autobus- Po tentonin të futeshin nga Kosova për në Serbi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Rast i trafikimit me migrantë, ndalohen 18 të huaj në Jarinjë në një autobus- Po tentonin të futeshin nga Kosova për në Serbi

    Insajderi
    25 August 2025 - 09:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës ka ndaluar një rast të kontrabandimit me migrantë të paligjshëm në pikën kufitare Jarinjë.

    Siç thuhet në njoftimin e policisë, 18 shtetas të huaj të paregjistruar pa hyrje apo kalimi në territorin e Kosovës u identifikuan në katin e dytë të një autobusi të linjës Mitrovicë-Beograd, shkruan Insajderi.

    Më tej, thuhet se të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve dhe janë dërguar në mbajtje.

    Njoftimi i plotë:

    Tentim kontrabande me migrantë të paligjshëm, parandalohet nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës, përmes Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), Departamenti i Kufirit, më datë 24.08.2025, ka ndërmarrë një veprim të suksesshëm operativ në pikën e kontrollit afër pikëkalimit kufitar Kosovë–Serbi (Jarinjë), ku është ndaluar një autobus me targa (NP), i linjës Mitrovicë–Beograd.

    Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të autobusit ndodheshin 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj, të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Republikës së Kosovës.

    Hetimet e para dhe intervistat me personat përgjegjës tregojnë një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim të migrantëve. Pronari i kompanisë, G. A., dhe shoferi B. D., kanë tentuar të shmangin përgjegjësinë, por provat dhe verifikimet tregojnë përfshirje direkte në organizimin e transportit të migrantëve në mënyrë të paligjshme.

    Nga verifikimi i dokumenteve rezulton se:

    · 5 shtetas palestinez kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23.08.2025.

    · 6 shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova.

    · 7 shtetas egjiptian kishin hyrë në Kosovë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

    Te dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe janë dërguar në mbajtje.

    Viktimat janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër migrimit të paligjshëm, kontrabandës me njerëz dhe çdo veprimtarie që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark