Prokuroria kërkon paraburgim për të akuzuarin që sulmoi KFOR-in, Policinë dhe mediat në Zveçan - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria kërkon paraburgim për të akuzuarin që sulmoi KFOR-in, Policinë dhe mediat në Zveçan

    Insajderi
    25 August 2025 - 12:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Lj.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer disa vepra penale.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet për bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Lj.M. dyshohet se më 29.05.2023, para objektit të komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka sulmuar me gurë, bombë molotov dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen.

    “Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të pandehurit, prokuroria ka bërë të ditur se janë siguruar prova materiale si një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një micë me mbishkrim me motive nacionaliste, me të cilat, konfirmohen veprimet inkriminuese e të pandehurit në ditën kritike”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në hetimin e plotë dhe ndjekjen e të gjithë personave të përfshirë në këto vepra penale.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark