Insajderi
Lajme

Dimal Basha reagon pasi iu publikua pamfleti skandaloz: Nga goja dhe duart e mia nuk është shkruar asgjë që bie ndesh me vlerat e UÇK-së

Insajderi
27 August 2025 - 20:45
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dimal Basha reagon pasi iu publikua pamfleti skandaloz: Nga goja dhe duart e mia nuk është shkruar asgjë që bie ndesh me vlerat e UÇK-së
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar publikisht për një punim të vitit 2012, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe duke theksuar se përgjegjësia e tij lidhet vetëm me një pjesë të caktuar të punimit.

“Nuk është hera e parë që sulmohem me të pavërteta nga qarqe të caktuara, mirëpo para gjithë qytetarëve kam përgjegjësinë dhe obligimin t’ju jap llogari dhe sqarim për akuzat e ngritura sot”, ka shkruar Basha.

Ai sqaron se bëhet fjalë për një punim akademik nga koha kur ishte student.

“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë.”

Më tej, ai ka përmendur edhe reagimin e autores së punimit, Jana Arsovska, e cila sipas tij ka sqaruar se Basha ka kontribuar vetëm në atë kapitull.

“Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull.”

Kryeparlamentari ka theksuar se qëndrimi i tij ndaj luftës së UÇK-së është i qartë dhe i palëkundur.

“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë.”

Në fund të reagimit, Basha i kërkoi falje qytetarëve të shqetësuar nga, siç tha ai, “raportimi i rremë”.

“I kërkoj falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë, dhe prandaj lus mediat që të raportojnë drejtë dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës.”Insajderi.org


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark