
Një gjykatë apeli në SHBA ka vendosur që shumica e tarifave të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump janë të paligjshme, duke hapur rrugën për një përballje të mundshme ligjore që mund të tronditë agjendën e politikës së jashtme.
Vendimi prek tarifat “reciproke” të Trumpit, të vendosura ndaj shumicës së vendeve në botë, si edhe tarifat ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë.
Me një vendim 7-4, Gjykata e Apelit për Qarkun Federal rrëzoi argumentin e Trumpit se tarifat lejoheshin në bazë të Aktit për Fuqitë Ekonomike në Raste Emergjente, duke i quajtur ato “të pavlefshme dhe në kundërshtim me ligjin”.
Vendimi nuk do të hyjë në fuqi deri më 14 tetor, për t’i dhënë kohë administratës që të kërkojë ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë.
Trump e kritikoi vendimin dhe gjykatën duke thënë se “nëse lejohet të qëndrojë, ky vendim do t’i shkatërrojë fjalë për fjalë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Ata sot, si një Gjykatë Apeli shumë e politizuar, gabimisht tha se tarifat tona duhet të hiqen, por ata e dinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të fitojnë në fund”, shkroi ai.
“Nëse këto tarifa do të hiqeshin ndonjëherë, do të ishte një katastrofë totale për vendin. Do të na bënte ekonomikisht të dobët dhe ne duhet të jemi të fortë”, shtoi ai.
Trump i kishte justifikuar tarifat bazuar në Aktin Ndërkombëtar për Fuqitë Ekonomike në Raste Emergjente (IEEPA), i cili i jep presidentit fuqinë të veprojë kundër kërcënimeve “të pazakonta dhe të jashtëzakonshme”.