Insajderi
Hulumtime/Analiza

Siç duket “tagjia nuk është ndalur”- Telekomi i Kosovës nënshkruan kontrata mbi 200 mijë euro me disa media

Insajderi
01 September 2025 - 10:38
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Siç duket “tagjia nuk është ndalur”- Telekomi i Kosovës nënshkruan kontrata mbi 200 mijë euro me disa media
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Besnik Gashi

“Ua kemi ndalë komplet tagjinë, asnjë cent s’iu shkon më mediave”. Fraza e famshme e Dimal Bashës, kryetarit aktual të Kuvendit të Kosovës që vjen nga radhët e Lëvizjes e Vetëvendosjes s’po qëndron edhe aq. Telekomi i Kosovës, ndërmarrje publike që është në pronësi të Qeverisë së Kosovës, ka ndarë kontrata në vlerë prej mbi 230 mijë euro për disa mediave.

Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë një dokument, i cili dëshmon se ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës ka ndarë kontrata marketingu për hapësira reklamuese në disa media.

Vlera e tyre është saktësisht 232,696 euro e 40 centë.

Në mesin e përfituesve janë mediumet, si: RTV21, Dukagjini, RTK, ATV dhe Teve1.

Në një nga kontratat e arritura me RTK’në në kuadër të marketingut thuhet se është “për kompensim”.

RTK’ja ka përfituar përafro 40 mijë euro nga Telekomi i Kosovës me dy kontrata. Njëra nga to është në vlerë prej 55,673 euro e 21 centë e hyrë në fuqi nga 17 dhjetori i vitit të kaluar deri më 16 dhjetor të 2025-ës.

Ndërkaq, kontrata e dytë ka hyrë në fuqi nga 1 prilli i këtij viti dhe do të zgjasë deri më 20 mars të vitit të ardhshëm. Vlera e saj është 32,696 euro e 40 centë.

Përveç transmetuesit publik, nga Telekomi i Kosovës ka përfituar edhe KTV. Me këtë medium, Telekomi ka arritur të nënshkruajë kontratë për hapësirë reklamuese në vlerë prej 17,689 euro e 12 centë nga 12 dhjetori i vitit të kaluar e deri më 1 shkurt të 2026-ës.

Përfitues nga marrëveshja e marketingut është edhe mediumi Dukagjini, me të cilët Telekomi ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 34,540 euro e 30 centë. Kontrata është nënshkruar më 2 dhjetor të 2024-ës dhe do të zgjasë deri më 1 shkurt të 2026-ës.

Në dokumentin që e ka parë Insajderi, afro 50 mijë euro kontratë Telekomi i Kosovës ka nënshkruar me mediumin Teve1. Saktësisht, 49,195 euro e 76 centë.

Po ashtu, Telekomi i Kosovës ka arritur kontratë për çështje marketingut edhe me mediumin ATV. Me një kontratë të nënshkruar më 2 dhjetor të 2024-ës që pritet të zgjasë deri më 1 shkurt të 2026-ës, ky medium pritet të përfitojë 19,672 euro e 75 centë.

Ndërkaq 23,228 euro e 86 centë Telekomi i Kosovës i ka ndarë për mediumin RTV21. Ka nënshkruar kontratë nga 4 dhjetori i 2024-ës deri më 1 shkurt të 2026-ës.

Megjithatë, asnjë nga këto marrëveshje nuk janë publike, ndonëse ndërmarrja në krye me kryeshefen Burbuqe Hana janë të obliguar t’i publikojnë ato. S’figurojnë as në E-Prokurim, e as nuk dihet se në çfarë forme është arritur marrëveshja. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark