Dallavere me tenderë, subvencione me OJQ e keqmenaxhim i pronës- si u qeveris Mitrovica nën pushtetarët e PDK-së, Hamza e Tahiri? - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Dallavere me tenderë, subvencione me OJQ e keqmenaxhim i pronës- si u qeveris Mitrovica nën pushtetarët e PDK-së, Hamza e Tahiri?

    Insajderi
    08 September 2025 - 15:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tri vite me radhë, Auditori i Jashtëm ka identifikuar në Komunën e Mitrovicës së Jugut që drejtohet nga pushtetari i PDK-së, Bedri Hamza me dorën e ti te djathtë, nënkryetarin Arian Tahiri keqmenaxhim të financave publike. Nga prokurimi e subvencionet, te menaxhimi i pasurive, pronave dhe detyrimeve financiare, gjetjet e auditorëve tregojnë një model të përsëritur shkeljesh nga pushteti i DPK-së atje cenojnë besueshmërinë e institucioneve lokale dhe dëmtojnë buxhetin komunal. Insajderi sjell detaje për çdo projekt

    Gazeta Insajderi

    Për tri vite me radhë Zyra kombëtare e Auditimit dy herë radhazi ka bërë raport të kualifikuar për Komunën e Mitrovicës së jugut që drejtohet nga Bedri Hamza, një ekonomist, dhe dora e tij e djathë, nënkryetari Arian Tahiri.

    Në auditime, “opinion i kualifikuar” jepet kur auditorët gjejnë shkelje dhe gabime serioze në menaxhimin e financave publike. Ky është një sinjal i fortë alarmi: tregon se institucioni nuk respekton plotësisht ligjet dhe se ekziston rrezik i lartë për keqpërdorim të fondeve.

    Opinion i Kualifikuar, e që Mitrovica nën pushtetin e PDK-së e ka në vitin 2022 e 2024 është një “vërejtje serioze” – raportet janë të shtrembëruara dhe ka rrezik për keqpërdorim apo manipulim.

    Por, ku ishte fokusi i ZKA-së në këto vite?

    Tendenca të dyshimta në prokurim—pa garancion, jashtë kontratës, pa projekt

    Në 2023, sic raportoi Insajderi, nga Komuna u paguan 38,155 € për projekte kapitale, pa asnjë garancion performance dhe pa plan pagesash. Pa fjalë për aferën e kontratave të tejkaluara/keqklasifikuara në mbi 123,791 €.

    Në 2024, u zbulua nga Insajderi tejkalim të kontratës publike prej mbi 1.08 milion € (1.03 milion € për gjelbërim dhe 54,887 € për intervenime emergjente), bashkë me keqklasifikime të shpenzimeve për vendime gjyqësore dhe përmbarime – rreth 593,680 €.

    https://insajderi.org/en/njeri-biznesmen-tjetri-zyrtar-komunal-si-i-transferoi-pushteti-i-bedri-hamzes-ne-mitrovice-afro-400-mije-te-vellezerit-manipulues

    Prokurimi në tre vitet e fundit, sipas ZAP në Komunën e Mitrovicës së Jugut është përfshirë në shkelje të përsëritura – pagesa jashtë kontratave, tejkalime në kontrata kornizë, avanse pa garanci dhe menaxhim të dobët të kontratave.

    Pronat, sipas të njëjëve raporte vazhdojnë të mbeten sfidë madhore – nga mosregjistrimi i pasurive, kontrata të skaduara për qira, deri te nënvlerësimi i regjistrave.

    Derisa Subvencionet: në mungesë të transparencës, nuk dihen gjithnjë përfituesit konkretë, por vetë auditorët evidentojnë shkelje të rënda në proces.

    Në vitin 2022 auditorët e jashtëm gjetën se te tenderi “Blerje artikujsh për servisimin e automjeteve”, diku 3,760 €, janë të kryera jashtë kontratës

    Po atë vit Subvencionimi i OJQ-ve në kundërshtim me kriteret e ftesës publike dhe rregulloren për financimin e tyre.

    Derisa Inventarizimi i pasurive – Komisioni nuk e kishte kryer për të gjitha institucionet vartëse (arsim, shëndetësi)

    Keqklasifikim i shpenzimeve – më 2024 u zbulua se fonde të investimeve kapitale u përdorën për paga (32,892 €) dhe mallra/shërbime (79,416 €)

    Komuna e Mitrovicës Jugore shpesh ka pranuar gjetjet, duke i arsyetuar me mungesë fleksibiliteti buxhetor dhe nevoja urgjente.

    https://insajderi.org/hr/a-po-ndodh-qellimshem-kandidati-i-pdkse-per-kryeminister-ende-se-ka-miratuar-harten-zonale-te-mitrovices-qytetaret-mbesin-pa-leje-ndertimi

    Në vitin 2023 ZAP gjeti se tenderi «Ndërtimi i QMF-së në Koshtovë (faza II) – kontratë 134,373 €, u dha avans 15% pa garancion performance dhe pa orar pagesash.

    Njëjtë ishte edhe tenderi tjetër, “Ndërtimi i QMF-së në Stanterg – kontratë 119,996 €, me të njëjtën shkelje (avans pa garancion dhe pa orar)

    Sipas ZAP, shpenzimi në “Kontratë kornizë për furnizim me barna dhe material mjekësor  u evidentua tejkalim i vlerës së lejuar ligjore (+/-30%)

    Komuna në shumicën e rasteve pajtohet dhe premton masa për përmirësim, ndërsa për pagesat përmbarimore justifikohet me vendime gjyqësore të detyrueshme.

    Vitin e kaluar, më 2024, ZAP gjeti se pushteti i PDK-së në Mitrovicën e Jugut, në së paku pesë  procedura prokurimi  pati mangësi në procesin e vlerësimit të ofertave

    Shembull: projekti “Rregullimi i objekteve shëndetësore – QMF Bare dhe AMF Bajgorë”, kontratë 110,231 €; u kërkua përvojë pune jo e bazuar në ligj, duke kufizuar konkurrencën.

    dy kontrata publike kornizë u gjet se pati  tejkalim të vlerës së lejuar për kategori të caktuara.

    tetë kontrata  nuk ishin azhurnuar në sistemin e E-prokurimit, duke pamundësuar menaxhim në kohë reale

    Në vitin 2024, në projektin “Rregullimi i objekteve shëndetësore – QMF Bare dhe AMF Bajgorë” (110,231 €), Komuna vendosi kriter të paligjshëm për përvojë pune, duke kufizuar konkurrencën . Në pesë procedura të tjera u identifikuan mangësi serioze në vlerësimin e ofertave.

    Menaxhimi i pasurive dhe pronave komunale

    Problemi i pronave është i përsëritur në të gjitha vitet. Në vitin 2022  ZAP gjeti se pasuritë kapitale në vlerë mbi 12 milion € nuk ishin regjistruar në SIMFK, ndërsa pasuritë jo-kapitale (102,290 €) mungonin në sistemin e-pasuria

    Një vit më vonë, u zbulua se qiramarrësit i shfrytëzonin pronat komunale me kontrata të skaduara deri në 10 vite, duke mos paguar sipas marrëveshjeve.

    Llogaritë e arkëtueshme nga pronat dhe tatimi arrinin 14,5 milion € .

    Vitin e kaluar, më 2024, Auditori i Jashtëm gjen se regjistri i pasurisë ishte nënvlerësuar për 2,8 milion €, për shkak të klasifikimit të gabuar.

    Llogaritë e arkëtueshme nga tatimi në pronë ishin mbi 10,5 milion € .

     Komuna nuk arrin të menaxhojë pasuritë dhe pronat e saj, duke humbur të ardhura dhe duke e shtrembëruar raportimin financiar.

    Pagesat dhe detyrimet si pasojë e vendimeve gjyqësore

    Një ndër shkeljet më të mëdha financiare është rritja e pagesave përmbarimore, evidentojnë raportet e ZAP për Komunën e Mitrovicës së Jugut.

    2022 – Komuna pagoi 3,6 milion € nga Thesari përmes përmbarimit, për shkak të vonesave në pagesa.

    2023 – U paguan 256 mijë € përmes përmbarimit nga kategori jo adekuate.

    2024 – Shifra u rrit sërish, duke arritur 593,680 €, ku një pjesë ishin shpenzime për interesa dhe procedura gjyqësore

    Pagesat përmbarimore jo vetëm që dëmtojnë buxhetin, por edhe krijojnë hapësirë për humbje kontrolli mbi financat, konstatojnë audtiorët.

    Subvencionet për OJQ-të

    2022 – Auditimi konstatoi se subvencionet për OJQ ishin dhënë në kundërshtim me kriteret ligjore dhe pa respektuar ftesën publike . U ngrit dyshim për mungesë transparence.

    Në vitet 2023 dhe 2024 raportet evidentojnë shuma të mëdha të dhëna për subvencione (2023: 2 milion €, 2024: 1,4 milion €), ku ngrenë dyshime për mungesë kontrolli mbi përfituesit.

    Gjatë viteve 2022–2024, Komuna e Mitrovicës së Jugut është përballur me dy opinione të kualifikuara (2022 dhe 2024) dhe vetëm një opinion të pamodifikuar (2023). Pavarësisht përmirësimeve të pjesshme, modeli i shkeljeve është i qartë: prokurime të dyshimta, prona të menaxhuara dobët, subvencione pa transparencë, vonesa të pagesave dhe keqklasifikime buxhetore.

    Raportet e ZKA tregojnë se pushteti i PDK-së në këtë komunë nuk ka arritur të krijojë mekanizma të qëndrueshëm kontrolli të brendshëm. Ngrenë po ashtu dyshim se kjo do të thotë humbje e parasë publike dhe mungesë llogaridhënieje nga institucionet lokale./Gazeta Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark