13 gënjeshtrat e Agim Aliut – U mburr me nënkalimet, por la pas premtimet për gjelbërim, shkolla dhe salla sportive - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    13 gënjeshtrat e Agim Aliut – U mburr me nënkalimet, por la pas premtimet për gjelbërim, shkolla dhe salla sportive

    Insajderi
    09 September 2025 - 15:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, gjatë mandatit të tij katërvjeçar si udhëheqës i komunës, ka dështuar në realizimin e 13 premtimeve të dhëna gjatë fushatës së vitit 2021. Aliu kishte premtuar një Ferizaj me më shumë gjelbërim, shkolla dhe stadiume sportive, por pas katër vitesh ende nuk ka filluar realizimi i këtyre projekteve, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gjatë fushatës zgjedhore, Aliu, si kandidat për kryetar nga Partia Demokratike e Kosovës, kishte bërë gjithsej 69 premtime në programin e tij elektoral. Sipas një hulumtimi të publikuar nga Instituti GAP, nga këto premtime vetëm 39 janë realizuar plotësisht, 9 janë në gjysmë realizimi, 8 kanë filluar të implementohen, ndërsa 13 premtime nuk kanë nisur fare.

    Një nga premtimet kryesore që Aliu kishte përdorur në fushatë ishte transformimi i Ferizajt në një qytet më të gjelbër, përmes krijimit dhe zgjerimit të parkut. Ai kishte premtuar rregullimin e parkut në zonën “Gjon Serreqi”, ndërtimin e parkut në hapësirat e ish-stacionit të autobusëve, si dhe zgjerimin e parkut në Rahovicë. Megjithatë, asnjë nga këto premtime nuk është realizuar.

    Aliu kishte premtuar edhe ndërtimin e stadiumit të ri të futbollit, sallën e sporteve luftarake dhe krijimin e shkollës së sportit, por as këto projekte nuk kanë nisur ende.

    Një prej projekteve për të cilat kryetari Aliu është krenuar është ndërtimi i mbikalimeve në Ferizaj, madje një prej tyre e kishte quajtur “nënkalimi më i madh në historinë e Kosovës”. Por, ndërkohë që e ndërlidhi qytetin me këto nënkalime, Aliu nuk e realizoi premtimin për gypin e gazit nga Maqedonia e Veriut drejt Kosovës.

    Sipas raportit të GAP, disa prej premtimeve të tjera që nuk kanë nisur punën për realizim janë: zvogëlimi i borxhit të palëve ndaj komunës, digjitalizimi i shërbimeve komunale, shndërrimi i dy objekteve shkollore në shkolla me mësim tërë ditor, krijimi i parqeve zhvillimore për biznese, ndërtimi i mbikalimit në kryqëzimin e rrugëve “Brahim Ademi” dhe “Driton Islami”, si dhe mbrojtja dhe hapja e zonave të reja arkeologjike.

    Agim Aliu mban postin e kryetarit të Ferizajt që nga viti 2017 dhe synon të marrë mandatin e tretë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark