
Barcelona ka konfirmuar se ndeshja e tyre e parë në shtëpi për këtë sezon në La Liga kundër Valencias nuk do të zhvillohet në Spotify Camp Nou, por në stadiumin Johan Cruyff, i cili ka vetëm 6,000 vende.
Në një komunikatë zyrtare, klubi bëri të ditur se ndeshja me Valencian do të luhet të dielën me fillim nga ora 21:00 në Estadi Johan Cruyff.
“Barcelona njofton se ndeshja që korrespondon me javën e katërt të La Ligës, e planifikuar për të dielën, më 14 shtator në orën 21:00 kundër Valencias, nuk do të jetë ende në gjendje të zhvillohet në Spotify Camp Nou”.
Arsyeja kryesore është se Barça ende nuk ka marrë të gjitha lejet administrative për hapjen e stadiumit të rinovuar. Për këtë arsye, sfida me Valencian do të zhvillohet në Estadi Johan Cruyff, një impiant më i vogël që zakonisht përdoret për ekipet e akademisë dhe nga skuadra e femrave.
“FC Barcelona dëshiron të falënderojë anëtarët dhe tifozët e saj për mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre gjatë një procesi kaq kompleks, por emocionues, siç është rikthimi në stadiumin e ri Spotify Camp Nou. Klubi do të japë detaje të mëtejshme së shpejti në lidhje me organizimin e ndeshjes dhe procedurat e biletave”, shtoi Barça në deklaratë.