
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për të marrë mandatin në zgjedhjet lokale të vitit 2021, bëri 61 premtime në fusha të ndryshme si ekonomi, sport, kulturë e të tjera.
Por disa prej tyre mbetën në harresë nga Komuna.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga Instituti GAP, Bulliqi ka realizuar 37 premtime, 7 janë gjysmë të përmbushura, 13 kanë nisur, ndërsa 4 nuk kanë filluar fare.
Çka premtoi që nuk realizoi?
Një nga premtimet kryesore të Bulliqit ishte ndërtimi i parkingut nëntokësor.
Më 8 maj 2023, Bulliqi kishte njoftuar se kishin filluar procedurat për këtë projekt, me një kosto rreth 3 milionë euro dhe kapacitet mbi 250 vende parkimi.
Lokacioni ishte parashikuar në qendër të qytetit, përballë komunës (Sheshi “Ali Ajeti”).
Mirëpo, projekti është anuluar më shumë se tri herë dhe deri më sot nuk ka nisur fare.
Ndërsa, sipas të dhënave nga GAP ky projekt nuk ka filluar fare.
Një tjetër premtim i parealizuar është krijimi i muzeut të qytetit.
Edhe në fushën e sportit Bulliqi nuk i qëndroi fjalës: ai kishte premtuar ndërtimin e palestrës sportive të qytetit, shkruan Insajderi.
Në vitin 2020, kur po kandidonte për të marrë qeverisjen e Podujevës, ai kishte kritikuar LDK-në për mosndërtimin e palestrës, duke e quajtur neglizhencë.
Por, pasi mori pushtetin, as vetë nuk e realizoi këtë projekt.
Një tjetër zotim i pambajtur ishte subvencionimi i gjysmës së interesit për kreditë investuese të bizneseve prodhuese.
Në anën, tjetër ZKA javën e kaluar ka publikuar një raport ku ka gjetur shkelje nga Bulliqi sa i përket menaxhimit të pronave publike./Insajderi.org/