
Avokati Ahmet Tahiri ka reaguar ashpër pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale në rastin e njohur si “Mujka dhe të tjerët”, duke e cilësuar këtë veprim si një “turp për drejtësinë në Kosovë”.
Tahiri, i cili përfaqëson Hysen Muzliukajn në këtë proces, ka thënë se klienti i tij po akuzohet padrejtësisht për një çështje që ka kaluar të gjitha instancat e kontrollit institucional dhe ligjor në vend.
“Klienti im, Hysen Muzliukaj, po akuzohet lidhur me një vendim të Kuvendit Komunal, i cili ka kaluar nëpër pesë filtra institucionalë: Drejtoria e Urbanizmit, Zyra e Kryetarit të Komunës, Kuvendi Komunal, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Ministria e Financave,” ka deklaruar avokati Tahiri.
Ai ka shtuar se, sipas vendimeve gjyqësore të deritanishme, nuk ekziston as dyshimi më i vogël i bazuar që klienti i tij ka kryer ndonjë vepër penale.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka konstatuar se në këtë rast mungon dyshimi i bazuar që klienti im ka kryer ndonjë vepër penale. Kjo është konfirmuar si nga Gjykata e Apelit, ashtu edhe nga Gjykata Supreme,” ka shtuar Tahiri.