
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mohuar çdo pretendim se gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, mund të paraqesë rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.
Nga PSRK konfirmuan se asnjë institucion nuk ka dërguar raport ose informacion për gjykatësi Laban.
“Ju njoftojmë se, sipas regjistrit të Prokurorisë Speciale, nuk është evidentuar asnjë rast lidhur me personin për të cilin keni adresuar pyetje. Prokuroria mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit, korrupsionit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe parimet e drejtësisë”, ka thënë Luta për Betimi për Drejtësi.
Ky reagim vjen pas deklaratave të Presidentes Vjosa Osmani dhe ish-ministres së Drejtësisë, tani nënkryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, të cilat ngritën dyshime se gjykatësi Laban mund të paraqesë rrezik për sigurinë kombëtare.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Lista Serbe tentoi të bëjë mashtrime me prona në komunat me shumicë serbe, përmes Radomir Llabanit, i cili aktualisht është anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
“Unë jam njoftuar vetëm kur ka qenë procedura e noterëve, dhe tash në letrën që më ka ardhur nga institucionet e sigurisë, kam pasur informacionet që planet kanë të bëjnë mashtrime me prona. Pra, Lista Serbe përmes këtij, në komunat me shumicë serbe, të bëjë dallavere me prona me Radomir Llabanin si noter, e plot informacione tjera. Pse nuk është arrestuar, pyete Prokurorinë Speciale. Thirre Blerim Isufajn në studio pse nuk po merret me Radomir Llabanin, ose Nexhmi Rexhepin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, pse nuk po nisni procedurat e shkarkimit të Radomir Llabanit. Sfidoni!”, ka deklaruar Haxhiu në Debat Plus./Insajderi