
Kryetari i qytetit Conroe nga Teksasi i SHBA-së, Harry Hardman, ka zhvilluar një vizitë në kompaninë Meli Holding në Podujevë, ku është pritur nga biznesmeni, Mensur Bunjaku.
Bunjaku përmes një njoftimi në Facebook, ka theksuar se kishte nderin ta mirëpriste Kryetarin Hardman, duke i shprehur mirënjohje për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për Kosovën, si dhe për mundësitë që ofrohen për bashkëpunim ekonomik ndërmjet bizneseve amerikane dhe atyre nga Llapi e më gjerë.
“Pata nderin, si familje dhe si kompani, të mirëpres Kryetarin e City of Conroe, z. Harry Hardman, nga Teksasi i ShBA-së. Në kompaninë tonë e pritëm me respekt Kryetarin Hardman, duke i shprehur mirënjohje për atë që ka bërë Amerika, por edhe për mundësitë që sipërmarrësit e Llapit dhe të Kosovës kanë për të bashkëpunuar me bizneset amerikane. U dakorduam që shumë shpejt të kemi shkëmbime të drejtpërdrejta dhe vitin e ardhshëm të realizojmë një vizitë të ndërsjellë”, ka shkruar ai.