
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, gjatë ditës së djeshme dhe ditën e sotme ka dhënë dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë. I njëjti është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit dhe po merret në pyetje nga Prokuroria.
Rubin ndër tjerash ka folur edhe për rolin e Adem Demaçit brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, është deklaruar Bardhyl Mahmuti, i cili ka reaguar pasi që prokurori ka paraqitur një kabllogram ku pretendohet se Hashim Thaçi e ka prezantuar Adem Demaçin si zëdhënës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, në këtë kontekst, përmendet edhe Mahmuti se gjoja ky i fundit e konfirmuar një pohim të tillë.
Mahmuti në reagimin e tij ka thënë se asnjëherë nuk ka konfirmuar ‘’një të pavërtetë të tillë’’, porse, përkundrazi në deklarimet e tija ai ka hedhur poshtë pohimet që synonin ta prezantonin Demaçin si “zëdhënës” apo “përfaqësues politik”.
‘‘Zyra e Prokurorit të Specializuar mbështetet në interpretime të pasakta’’, ka shkruar ndër tjerash Mahmuti.