Pamje alarmante nga QKUK: Krimba në hundë të pacientit, fetus i lënë për orë të tëra dhe plagë të hapura pa fashë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pamje alarmante nga QKUK: Krimba në hundë të pacientit, fetus i lënë për orë të tëra dhe plagë të hapura pa fashë

    Insajderi
    17 September 2025 - 16:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi ka siguruar pamje të rënda nga repartet e Klinikës së QKUK-së, të cilat tregojnë gjendjen alarmante dhe kushtet e rënda me të cilat po përballen pacientët.

    Në foto dhe video shihen pacientë në gjendje kritike, me plagë të hapura, të lidhur me aparatura, si dhe pamje të ndjeshme nga procedurat mjekësore.

    Këto pamje janë nga Mjekimi Intensiv Qendror.

    Një pacienti (emër i njohur për redaksinë) i kanë hyrë krimbat në hundë teksa po merrte trajtim për shërim. Në pamje shihen krimbat në trupin e tij, ndërsa ai është i lidhur me aparatura.

    Në një pamje tjetër të rëndë shihet një fetus i lënë në gjendje të tmerrshme. Sipas burimeve të Insajderit, foshnja ka qëndruar ashtu për disa orë, gjë që ka rrezikuar përhapjen e ndonjë epidemie.

    “Ashtu ka qëndruar për disa orë sipas rregullave, menjëherë duhet të merren masa për të parandaluar ndonjë epidemi”, tha ky burim.

    Një rast tjetër përfshin një pacient me lëndime të mëdha në pjesën e syrit, por plaga nuk ishte fashuar.

    Gazeta Insajderi ka informuar edhe ministrin Arben Vitia lidhur me këto raste.

    Ndërsa nga ShSKUK kanë dhënë një përgjigje lidhur me këto raste.

    Përgjigja e ShSKUK-së për Insajderin

    Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) tha se trajtimi i pacientëve në Mjekimin Intensiv Qendror bëhet në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet e higjienës dhe protokollet mjekësore.

    “Sa i përket pyetjeve të gazetares së Insajderit, mund t’ju përgjigjem se trajtimi i pacientëve në Mjekimin Intensiv Qendror (MIQ) bëhet në mënyrë profesionale duke respektuar të gjitha masat e higjienës, sepses dhe antisepses gjatë procedurave invazive,” – thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.

    Lidhur me rastin e foshnjës që shihet në foto thanë se dështimi i frytit është bërë nën kontroll dhe tretman të gjinekologut, fryti është trajtuar sipas procedurave të Klinikës së Gjinekologjisë.

    “Pacientja e apostrofuar është trajtuar në Mjekimin Intensiv Qendror nga data 28.06.2024 deri më datën 04.10.2024, e pranuar nga Qendra Emergjente pas arrestit kardiak dhe komës cerebrale, shtatzënë në muajin e tretë. Dështimi i frytit është bërë nën kontroll dhe tretman të gjinekologut, fryti është trajtuar sipas procedurave të Klinikës së Gjinekologjisë për dërgim në Institutin e Patologjisë”

    Për foton ku shihet një pacient me plagë në kokë dhe mungesë të syrit, ShSKUK ka thënë:

    “Në MIQ trajtohen pacientë me dëmtime të rënda trupore të cilat janë të mbuluara me fasha e të cilat hiqen gjatë pastrimit dhe fashimit të plagëve, por nga foto nuk jemi të sigurt që pacienti ka qenë tek ne.”

    Ndërsa për foton e fundit, ku pretendohet prania e parazitëve, ShSKUK tha se nuk ka informata.

    “Nuk kemi informata për prani të parazitëve tek ndonjë pacient nga stafi menaxhues.”

    Insajderi është në pritje të një përgjigje edhe nga Inspektorati Shëndetësor./Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark