Ndryshime dramatike në ATK, degradohet zv.drejtori Asllani i denoncuar per aferën 900 mijë euro ryshfet - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Ndryshime dramatike në ATK, degradohet zv.drejtori Asllani i denoncuar per aferën 900 mijë euro ryshfet

    Insajderi
    18 September 2025 - 11:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i sapoemëruar nga ana e Qeverisë Kurti në Administratën Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, ka filluar të bëjë ndryshime dramatike në strukturën e institucionit publik. Në mesin e ndryshimeve më të vërejtshme është edhe ajo e Nijazi Asllanit, i cili deri me ardhjen e Hysenit mbante pozitën e zëvendësdrejtorit. Ai është degraduar në pozitën e Drejtorit të Departamentit për Procedura dhe Kualitet të Mbledhjes. Emri i Asllanit është përmendur edhe në një denoncim për abuzim me detyrë, ku ndaj biznesmenit Feim Pulajt i janë kërkuar 900 mijë euro ryshfet.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se Nijazi Asllani është degraduar nga pozita e numrit dy të ATK’së në drejtor nëjsie. Në vendimet e drejtorit të ri, rikategorizimet e pozitave të punës janë si vijojnë:

    1. Isen Lipovica, U.d. Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm 1

    2. Nijazi Asllani, Drejtor i Departamentit për Procedura dhe Kualitet të Mbledhjes

    3. Alban Qerimi, Drejtor i Departamentit për Shërbim, Gjoba dhe Ndëshkime për DTM, DTMS, Prishtina 1,2 dhe 3

    4. Ibrahim Çoçaj, Drejtor i Departamentit të Tatimpaguesve të Mesëm (DTMS)

    5. Merita Shoshi, Drejtor i Departamentit Tatimor Rajonal Prishtina1

    6. Valbona Krasniqi, Udhëheqëse e Divizionit për Avokim të Tatimpaguesve

    7. Burim Troni, Udhëheqës i Divizionit për Shërbime Mbështetëse në Prishtina 1

    8. Valdet Bektashi, Udhëheqës i Divizionit për Shërbime Mbështetëse në Prishtina 2

    9. Teuta Morina, Udhëheqëse e Divizionit për Trajnime dhe Zhvillim

    10. Xhylieta Haxhijakupi, U.d. Udhëheqëse e Divizionit të Burimeve Njerëzore

    11. Sahit Mulliqi, U.d. Udhëheqës i Divizionit për Koordinim dhe Logjistikë 12. Fatmire Dragusha, Këshilltare tatimore në DTM

    13. Gazmend Dobra, Zyrtar i mesëm i Mbledhjes së Detyrueshme dhe

    14. Iliriana Sheremeti, Zyrtare e lartë për Avokim të Tatimpaguesve.

    Rasti i biznesmenit Feim Pulaj dhe përplasja e tij me Administratën Tatimore ka qenë një nga skandalet më të bujshme të viteve të fundit. Seria e raportimeve të Insajderit dokumenton një sagë të gjatë dyshimesh për mashtrim fiskal, tentativa për ryshfet dhe mbyllje të pazakonshme të hetimeve.

    Në fillim të vitit 2024, Prokuroria ngriti dyshime se Pulaj kishte përdorur 23 fatura të vlerësuar fiktive me vlerë prej rreth 18 milionë eurosh, për të kërkuar rimbursim të TVSH-së në shumë prej 2.8 milionë eurove. Për këtë arsye, ai dhe 12 zyrtarë të ATK-së u arrestuan dhe ndaj tyre u kërkua paraburgim. Në dosjen e Prokurorisë theksohej se veprimet e tij kishin shkaktuar edhe dëme direkte për buxhetin e shtetit, çka deri tash nuk është dëshmuar.

    Pak më vonë, vetë Pulaj doli me një pretendim tronditës: ai deklaroi publikisht se shefa dhe inspektorë të ATK-së i kishin kërkuar 900 mijë euro ryshfet – rreth 30% e shumës së rimbursimit – në mënyrë që çështja e tij të zgjidhej pa pasoja. Në intervistën dhënë Insajderit ai tregoi se ishte shantazhuar me fjalët: “4-5 vjet ke me u sjellë nëpër prokurori e gjykata nëse nuk e jep këtë shumë.” Ky pretendim i drejtpërdrejtë për korrupsion në nivelet e larta të ATK-së ndezi debat të gjerë publik.

    Emri i përmendur në këtë aferë ishte edhe ai i Nijazi Asllanit, zëvendësdrejtor i ATK-së, i cili, jo i vetëm është kallëzuar penalisht edhe më parë për abuzim me detyrën, por rastet e mëhershme ishin mbyllur nga prokuroria pa epilog. Ky fakt ngriti dyshime të thella për një sistem të mbrojtur brenda ATK-së, ku skandalet shuhen para se të arrijnë në gjykim.

    Gazeta Insajderi dje ka raportuar për një akuzë të re të biznesmenit Pulaj në drejtim të ATK’së.

    Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Pulaj – pronari i “LeakSide”, ka folur për një veprim të ATK-së ku u bllokuan edhe pronat e prindit të tij të ndjerë, kinse për borxh të firmës së tij, por në vet dokument thuhet se borxhi as nuk është i prindit e as nuk është i kompanisë, por i vet Feim Pulajt.

    Ai këtë dokument e denoncon publikisht si falsifikim nga ATK-ja.

    Dokumenti i lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës është një falsifikim i plotë dhe i qëllimshëm, i kryer për të zhvendosur një barrë tatimore të jashtëligjshme nga një shoqëri tregtare te një individ privat, pa asnjë bazë ligjore. Në thelb, ky veprim përfaqëson një krim shtetëror të kryer në bashkëpunim ndërmjet zyrtarëve tatimorë dhe atyre kadastralë”, ka thënë Pulaj për Insajderin.

    Pulaj ka analizuar me hollësi këtë dokument, duke e sqaruar në prononcimin e tij dhënë Insajderit, e ku sipas tij dëshmohet ajo që ai po pretendon që: ATK ka lëshuar dokument të falsifikuar.

    Në dokumentin në fjalë, ndonëse thuhet se borxhi i takon shoqërisë LakeSide AG shpk, emri i vendosur është ai i Feim Pulaj si person privat. Për më tepër, poshtë dokumentit janë përfshirë numrat e parcelave që në realitet i përkasin prindërve të mi”, thotë Pulaj, dhe shton se ATK mundohet që po në të njëjtin dokument ta paraqes se sikur të ishin pronë e tij personale.

    Kjo metodë mashtruese është përdorur për të vendosur bllokadë mbi prona të pafajshme, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtën themelore të pronësisë dhe duke e zhveshur qytetarin nga çdo mbrojtje juridike elementare”, ka thënë Pulaj.

    Ai madje akuzon ATK-në se po bënë edhe veepër penale tjetër, pos falsifikimit: po vepron në kundërshtim më vendimet e Gjykatës.

    E gjitha kjo është bërë në kundërshtim të hapur me dy vendime gjyqësore përfundimtare – të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme – të cilat kanë konstatuar qartë se ky borxh është i jashtëligjshëm. Pra, jo vetëm që është injoruar gjykata si organ suprem i drejtësisë, por është vazhduar qëllimisht me falsifikim dokumentesh dhe uzurpim të pronës përmes forcës së pushtetit”, i ka thënë Insajderit Pulaj.

    Ky rast është më shumë se një gabim administrativ, thotë investitori Pulaj tutje, duke shtuar se sipas tij, ky veprim i ATK-së “është një akt i organizuar kriminal, ku një zinxhir i tërë punonjësish të shtetit kanë bashkëpunuar për të fabrikuar një barrë tatimore të rreme dhe për të goditur qytetarin e pafajshëm”.

    Përmes këtij veprimi, drejtësia e qytetarëve jo vetëm është shkelur, por është kthyer në armë kundër tyre”, ka thënë Pulaj. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark