Insajderi
Analiza

Investitori Feim Pulaj me akuza të rënda kundër ATK-së: Lëshoi dokument të falsifikuar, ka një strukturë të tërë të krimit të organizuar brenda shtetit

Insajderi
17 September 2025 - 15:54
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Investitori Feim Pulaj me akuza të rënda kundër ATK-së: Lëshoi dokument të falsifikuar, ka një strukturë të tërë të krimit të organizuar brenda shtetit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Edhe një herë në skenë është shfaqur biznesmeni Feim Pulaj. Ai, që më herët akuzoi shefat e ATK-së që i kërkuan 900 mijë euro ryshfet, në një prononcim për Insajderin, duke sjell edhe dokumente, ka ngritur akuza të reja. Pretendon se ATK lëshoi dokument të falsifikuar, se sipas tij në institucionet kosovare ka “një strukturë të tërë të krimit të organizuar brenda shtetit”. Insjderi sjell detajet:

Gazeta Insajderi

Biznesmeni nga Prizreni, që më kapital të krijuar në Zvicërr, themeloi kompani në Kosovë dhe tash ka një resort luksoz në Vërmicë, Feim Pulaj nuk është i panjohur për publikun në raport me telashet që ka pasur me Administratën Tatimore.

Madje, në një intervistë ekskluzive dhënë Gazetës Insajderi ai kishte rrëfyer për herë të parë se si zyrtarë e shefa të ATK-së, duke i përmendur me emra, i kërkuan ryshfet të majmë. 900 mijë euro.

Ka bërë edhe kallëzim penal për ta, dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka thënë Insajderit që ende kjo lëndë është në trajtim.

E derisa rasti për të cilin ishte arrestuar fillimvitin e kaluar, për çka atij dhe inspektorëve të arrestuar iu mbyllën hetimet, është rrugës për të marrë një epilog, ai tash ka ngritur akuza të reja kundrejt përsëri të njëjtit institucion: ATK-së që tash drejtohet nga Mentor Hyseni- njeriu i Kryeministrit kujdestar, Albin Kurti.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Pulaj – pronari i “LeakSide”, ka folur për një veprim të ATK-së ku u bllokuan edhe pronat e prindit të tij të ndjerë, kinse për borxh të firmës së tij, por në vet dokument thuhet se borxhi as nuk është i prindit e as nuk është i kompanisë, por i vet Feim Pulajt.

Ai këtë dokument e denoncon publikisht si falsifikim nga ATK-ja.

“Dokumenti i lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës është një falsifikim i plotë dhe i qëllimshëm, i kryer për të zhvendosur një barrë tatimore të jashtëligjshme nga një shoqëri tregtare te një individ privat, pa asnjë bazë ligjore. Në thelb, ky veprim përfaqëson një krim shtetëror të kryer në bashkëpunim ndërmjet zyrtarëve tatimorë dhe atyre kadastralë”, ka thënë Pulaj për Insajderin.

Shiko dokumentin:

Pulaj ka analizuar me hollësi këtë dokument, duke e sqaruar në prononcimin e tij dhënë Insajderit, e ku sipas tij dëshmohet ajo që ai po pretendon që: ATK ka lëshuar dokument të falsifikuar.

“Në dokumentin në fjalë, ndonëse thuhet se borxhi i takon shoqërisë LakeSide AG shpk, emri i vendosur është ai i Feim Pulaj si person privat. Për më tepër, poshtë dokumentit janë përfshirë numrat e parcelave që në realitet i përkasin prindërve të mi”, thotë Pulaj, dhe shton se ATK mundohet që po në të njëjtin dokument ta paraqes se sikur të ishin pronë e tij personale.

“Kjo metodë mashtruese është përdorur për të vendosur bllokadë mbi prona të pafajshme, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtën themelore të pronësisë dhe duke e zhveshur qytetarin nga çdo mbrojtje juridike elementare”, ka thënë Pulaj.

Ai madje akuzon ATK-në se po bënë edhe veepër penale tjetër, pos falsifikimit: po vepron në kundërshtim më vendimet e Gjykatës.

“E gjitha kjo është bërë në kundërshtim të hapur me dy vendime gjyqësore përfundimtare – të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme – të cilat kanë konstatuar qartë se ky borxh është i jashtëligjshëm. Pra, jo vetëm që është injoruar gjykata si organ suprem i drejtësisë, por është vazhduar qëllimisht me falsifikim dokumentesh dhe uzurpim të pronës përmes forcës së pushtetit”, i ka thënë Insajderit Pulaj.

Ky rast është më shumë se një gabim administrativ, thotë investitori Pulaj tutje, duke shtuar se sipas tij, ky veprim i ATK-së “është një akt i organizuar kriminal, ku një zinxhir i tërë punonjësish të shtetit kanë bashkëpunuar për të fabrikuar një barrë tatimore të rreme dhe për të goditur qytetarin e pafajshëm”.

“Përmes këtij veprimi, drejtësia e qytetarëve jo vetëm është shkelur, por është kthyer në armë kundër tyre”, ka thënë Pulaj.

Ai kujton se si në janar 2024 u arrestua e u mbajt në paraburgim për pak orë, për tu liruar që në seancën e parë- ku Gjykata rrefuzoi të i caktonte paraburgim. Rasti pastaj u hetua gjatë e gjatë, dhe në fund u mbyll nga po e njëjta Prokurori që i kapi me bujë, jo vetëm atë por edhe një grup punonjësish të ATK-së.

Lexo raportimet e Insajderit për këtë rast:

“Modeli i përsëritur i manipulimit të procedurave penale – hapja e rasteve, mbyllja arbitrare, ndërrimi i prokurorëve dhe ndërhyrja e gjykatave të shkallës së lartë për t’i detyruar ata të bëjnë detyrën – tregon se nuk kemi të bëjmë me individë të izoluar, por me një strukturë të tërë të krimit të organizuar brenda institucioneve shtetërore”, thotë Pulaj..

Në këtë kuptim, sipas biznesmenit Pulaj, “ky rast nuk është vetëm një shkelje e drejtësisë ndaj një individi, por një dëshmi e qartë se qytetarët e Kosovës po përballen me një sistem ku vetë institucionet publike po veprojnë si kriminelë të organizuar, duke e shndërruar shtetin në mjet të padrejtësisë dhe represionit”.

Ai është indinjuar me mënyrën edhe se si prokurorët, sipas tij, përsekutojnë njerëz duke i mbajtur në procedura e në fund i mbyllin rastet me arsyetimin se “kanë gabuar”.

“Prokuroria ja mbyll këtyre rastin dhe thotë ‘kanë gabuar’. Atëherë krejt Ksovës duhet me ia mbyll rastet që gabojnë. Edhe një vrasës që e vret dikë mundet mu thirr në këtë vendim ‘valla kam gabuar’. Ky është skandali ma i madhi në historinë e Kosovës”, pretendon Pulaj.

Rasti i biznesmenit Feim Pulaj dhe përplasja e tij me Administratën Tatimore ka qenë një nga skandalet më të bujshme të viteve të fundit. Seria e raportimeve të Insajderit dokumenton një sagë të gjatë dyshimesh për mashtrim fiskal, tentativa për ryshfet dhe mbyllje të pazakonshme të hetimeve.

Në fillim të vitit 2024, Prokuroria ngriti dyshime se Pulaj kishte përdorur 23 fatura të vlerësuar fiktive me vlerë prej rreth 18 milionë eurosh, për të kërkuar rimbursim të TVSH-së në shumë prej 2.8 milionë eurove. Për këtë arsye, ai dhe 12 zyrtarë të ATK-së u arrestuan dhe ndaj tyre u kërkua paraburgim. Në dosjen e Prokurorisë theksohej se veprimet e tij kishin shkaktuar edhe dëme direkte për buxhetin e shtetit, çka deri tash nuk është dëshmuar.

Pak më vonë, vetë Pulaj doli me një pretendim tronditës: ai deklaroi publikisht se shefa dhe inspektorë të ATK-së i kishin kërkuar 900 mijë euro ryshfet – rreth 30% e shumës së rimbursimit – në mënyrë që çështja e tij të zgjidhej pa pasoja. Në intervistën dhënë Insajderit ai tregoi se ishte shantazhuar me fjalët: “4-5 vjet ke me u sjellë nëpër prokurori e gjykata nëse nuk e jep këtë shumë.” Ky pretendim i drejtpërdrejtë për korrupsion në nivelet e larta të ATK-së ndezi debat të gjerë publik.

Emri i përmendur në këtë aferë ishte edhe ai i Nijazi Asllanit, zëvendësdrejtor i ATK-së, i cili, jo i vetëm është kallëzuar penalisht edhe më parë për abuzim me detyrën, por rastet e mëhershme ishin mbyllur nga prokuroria pa epilog. Ky fakt ngriti dyshime të thella për një sistem të mbrojtur brenda ATK-së, ku skandalet shuhen para se të arrijnë në gjykim.

Pas muajsh hetimesh të bujshme dhe arrestimeve spektakolare, në shkurt 2025 Prokuroria vendosi të mbyllte pjesërisht hetimet ndaj Pulajt dhe 13 inspektorëve të ATK-së. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark