
Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti, është shprehur i bindur se do ta fitojë mandatin e katërt me radhë në Lipjan.
Ahmeti ka deklaruar se vendimi për të vazhduar punën si kryetar nuk është rezultat vetëm i vullnetit të tij, por i një serie faktorësh, përfshirë mbështetjen e madhe të qytetarëve dhe ekipit të tij.
“Është një obligim për mua ta vazhdoj punën. Nuk kam mundur t’i kthej shpinën publikut dhe t’u them ‘po, i shikoj punët e mia dhe po largohem nga përgjegjësia që e kisha ndaj qytetarëve’”, tha Ahmeti.
Gjatë intervistës në Dukagjini, kryetari aktual foli edhe për disa projekte të realizuara në Lipjan, të cilat, sipas tij, kanë lehtësuar jetën e qytetarëve dhe kanë përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet komunale.