
Sadri Hykosmani, ish-punonjësi i larguar nga Telekomi i Kosovës, ka ngritur kallëzim penal ndaj kryeshefes së ndërmarrjes publike, Burbuqe Hanës, drejtoreshës së Departamentit Ligjor, Leonora Sylës, menaxherit të zyrës ligjore Durim Ahmetajt, zyrtarit për qasje në dokumente publike, Mentor Maliqit dhe Krenare Dermakut, komisionere në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Kjo, pasi që të njëjtit s’iu janë përgjigjur në kërkesën për qasje në dokumente publike.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë kallëzimin penal, ku akuzon të lartpërmendurit për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, “mashtrimi” dhe “keqpërdorimi i informatës zyrtare”.
Në kallëzim penal, të ngritur javën e kaluar, specifikohet se të njëjtit iu është refuzuar kërkesja për qasje në dokumente publike. Hykosmani nga Telekomi ka kërkuar qasje në kontestet gjyqësore dhe administrative, çështje që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, kontestet që lidhen me të ardhurat personale, vendimet dhe dënimet e shqiptuara nga inspektoratet shtetërore, pagesat për pagat jubilare dhe çfarëdo informacioni tjetër që lidhet me shpenzimin e parasë publike.
“Kam paraqitur kërkesë për qasje në dokumente publike pranë Telekomit të Kosovës, drejtuar z. Mentor Maliqi, e informuar edhe Burbuqe Hana me 12 pika të garta për konteste, kompensime, borxhe, paga jubilare etj. Telekomi nuk ka kthyer përgjigje brenda 7 ditëve pune, duke shkelur nenin 14 të Ligjit për Qasje në dokumente publike. Dokumenti: Kërkesa zyrtare e datës 29.04.2025“, thuhet ndër të tjera në kallëzim penal.
Në një vendim të cilin e ka parë Gazeta Insajderi të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të datës 30 maj të këtij viti, kjo agjenci aprovon si të bazuar ankesën e Hykosmanit dhe obligon Telekomin që në afat prej shtatë ditësh t’i jepet qasje në dokumente publike.
Megjithatë, të njëjtit s’i është ofruar qasje. Insajderi iu është drejtuar me pyetje AIP’it për ta pyetur këtë proces, mirëpo të njëjtit kanë thënë se për shkak të volumit të madh të lëndëve, nevojitet një afat i gjatë kohor për t’i ofruar informatat e kërkuara.
“Në lidhje me pyetjen e adresuar për ankesën e adresuar nga pala ankuese Sadri Hykosmani ndaj Telekomit të Kosovës, ju njoftojmë se ankesa e paraqitur është trajtuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në harmoni me Ligjin Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike. Në procesin e trajtimit të ankesave qëllimi kryesor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi është që pala ankuese të jetësojë të drejtën për sigurimin e informatave të kërkuara nga Institucioni, gjithnjë mbështetur në dispozitat ligjore. Marrë parasysh faktin se natyra e dokumenteve të kërkuara nga pala ankuese, lidhet me vëllimin shumë të madh të dokumenteve publike për realizimin e të cilës, institucionit publik i duhet afat relativisht i gjatë kohor për të ofruar të gjitha informatat e kërkuara“, thuhet në përgjigjen e AIP’it.
Hykosmani e kishte fituar rastin e tij më herët në Inspektoratin e Punës, ku ankohej për shkelja të të drejtave të tij nga ana e Telekomit.
Gazeta Insajderi kishte raportuar për këtë vendim të Inspektoratit të Punës, që kishte gjobitur 2,500 euro ndërmarrjen pas shkeljeve të ligjit të kryer nga njerëzit e Hanës në Telekom. Në tri pika thuhet se kanë cënuar kontratën e punës, caktimin e vendit të punës dhe shkelje të të drejtave për të punësuarit.
“Cenimin e dispozitës së nenit 10 [Kontrata e Punës], paragrafi 5, “Kontrata për një periudhë të caktuar që ripërtërihet në mënyrë të qartë ose të vetëkuptueshme për një periudhë të punësimit më të gjatë se dhjetë (10) vite, konsiderohet si kontratë për një periudhë të pacaktuar kohor”, të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, dhe ndëshkohet me gjobë prej 1000.00 euro (një mijë euro)”, thuhet në vendimin e Inspektoratit.
“Cenimin e dispozitës së nenit 17 [Caktimi i të punësuarit në vendin e punës], paragrafi 2, “Në rast të nevojës për ristrukturim apo organizim të ri të punës, i punësuari në pajtim me Kontratën e Punës mund të sistemohet në vend tjetër të punës që i përgjigjet përgatitjes profesionale, aftësisë së tij dhe nivelit të njëjtë të pagës, në pajtim me Kontratën e Punës”, të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, dhe ndëshkohet me gjobë prej 1000.00 euro (një mijë euro)”.
“Cenimin e dispozitës së nenit 78 [Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit], paragrafi 2 të Ligjit të Punës 03/L-212, ku “Punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të punësuarit, në afatin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës” dhe ndëshkohet me gjobë prej 500.00 euro (pesë qind euro)”, thuhet ndër të tjera.
Siç përshkruhet në vendimin e Inspektoratit të Punës, pas pushimit mjekësor ankuesi ishte ftuar në zyrën e Burimeve Njerëzore që ta nënshkruante një kontratë. Kontrata parashihte një pozitë të re për ankuesin, e cila e degradonte për disa grada.
Në vendimin e Inspektoratit që ka parë Insajderi, Telekomi thotë se nuk mund t’i ofrojë kontratë të re për pozitën që ka, meqë ajo pozitë është shuar si pasojë e risistematizimit dhe “është fiktive”.
Ankuesi si pasojë e mos-nënshkrimit të kontratës kishte ngelur pa rrogë.
Për krejt këto, Inspektorati i Punës fillimisht kishte dërguar raport zyrtar në mënyrë që të ndryshojnë rrethanat juridike dhe faktike. Gjithsesi, Telekomi kishte refuzuar të reflektojë, për çka kishte pasuar edhe dënimi prej 2,500 eurove.
Por, të gjitha vendimet gjobvënëse të Inspektoratit të Punës në drejtim të Telekomit të Kosovës kanë rënë “në ujë”. Kjo, falë një vendimi të gjykatëses së Gjykatës Komerciale, Vlora Pacolli, motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit. Ajo në dy raste të veçanta ka nxjerrë vendim duke i dhënë të drejtë Telekomit të Kosovës në ankesat e tyre lidhur me gjobat që ua ka shqiptuar Inspektorati i Punës për shkelje të të drejtave të punonjësve të ndërmarrjes publike.
Telekomi i Kosovës në vazhdimësi e kishte quajtur “gjobvënës të paligjshëm” Inspektoratin e Punës. /Insajderi.org/