Ericsson Nikola Tesla, kompani kroate me seli në Kosovë, po vazhdon t’ia sheh hairin Qeverisë Kurti. Telekomi i Kosovës, ndërmarrje publike kjo e cila udhëhiqet nga Burbuqe Hana e emëruar nga Kurti, ia ka dhënë edhe një tender prej 1,7 milion eurosh firmës kroate në fjalë. Me këtë kontratë, kjo firmë pritet që t’i renovojë disa shërbime teknike të ndërmarrjes publike. Ericsson Nikola Tesla ka fituar edhe tenderë të tjerë përgjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Vlera e tyre është përreth 30 milionë euro. Kjo firmë ishte lavdëruar fort për shërbimet e saja nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Gjigant global” iu kishte referuar ministrja Rizvanolli kompanisë kroate Ericsson Nikola Tesla (ENT), e cila ka edhe selinë në Kosovë, raporton Insajderi.
“Falenderoj ekipin e Ericsson Nikola Tesla në Kosovë, veçanërisht drejtorin Besar Spahija, për mikpritjen dhe prezantimin e projekteve. Kjo vizitë forcoi bashkëpunimin tonë drejt një Kosove digjitale dhe të fuqizuar. Prezenca e një gjiganti global si Ericsson është një siguri për investime të tjera në Kosovë”, thuhet pos tjerash në shkrimin e Rizvanollit përgjatë një vizite në zyrat e kësaj kompanie në Kosovë, më 2023-ën.
Qeveria në detyrë po e ndihmon këtë firmë që të bëhet edhe më gjigante. Telekomi i Kosovës ka njoftuar dje se ka nënshkruar kontratë 1,7 milionë euroshe me këtë kompani për tenderin “Renovimi i Shërbimeve të përkrahjes teknike, Shërbimet i Implementimit për Upgrade dhe Implementimi i brezit 2100 MHz (Band 1) në LTE“.
Ndërmarrja publike e udhëhequr nga Burbuqe Hana i ka dhënë tender një-burimor kompanisë në fjalë.
Vlera e parashikuar e kontratës nga ana e autoritetit kontraktues është katër milionë e gjysmë, ndërkaq kontrata është nënshkruar me 1,7 milion.
Kjo nuk është hera e parë që Ericsson Nikola Tesla po përfiton tenderë në forma të negociuara nga Telekomi. Ata që nga 2022-a e deri më tani kanë përfituar përreth 30 milionë euro nga kontratat me ndërmarrjen publike.
Para hiç më larg se katër muajsh, e njëjta firmë e ka fituar një tender të negociuar në vlerë prej 1,3 milionësh.
Kush është kompania që po merr milionat nga Telekomi dhe vizita e ministres Rizvanolli në këtë kompani?
Ericsson Nikola Tesla është pjesë e Ericsson Global, nga Zagrebi i Kroacisë.
Në kohën kur kishte marrë 15 milionë euro kontratë nga Telekomi i Kosovës Gordana Kovaçeviq, presidente e kompanisë “Ericsson Nikola Tesla” kishte theksuar se vazhdimi i partneritetit me Telekomin e Kosovës do të kontribuojë në forcimin e pozitës së kompanisë që ajo udhëheq në treg.
Me 6 dhjetor të vitit 2023, ministrja tashmë e dorëhequr, Artane Rizvanolli kishte dedikuar një postim në “Facebook” për kompaninë Ericsson Nikola Tesla.
Ajo kishte vizituar qendrën R&D të Ericsson Nikola Tesla në Kosovë duke e quajtur qendër të inovacionit.
“Bashkë me Ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, vizitova qendrën R&D të Ericsson Nikola Tesla në Kosovë, një qendër e inovacionit dhe dëshmi e sinergjisë mes akademisë dhe industrisë. Partneriteti me Universitetin e Prishtinës dhe suksesi i Shkollës Verore tregojnë përkushtimin ndaj talenteve lokale, duke ndikuar në punësimin e të rinjve.
Në këtë vizitë, theksova përkushtimin e qeverisë për të përkrahur dhe investuar vazhdimisht në sektorin e TIK, duke përfshirë digjitalizimin dhe infrastrukturën 5g”, kishte shkruar ajo.
“Jemi të kënaqur që Telekomi i Kosovës e ka njohur ENT si partner të besueshëm i cili, me produktet dhe zgjidhjet e tij inovative, ekspertizën dhe qasjen profesionale të ekspertëve tanë, kontribuon në përpjekjet e tyre për të mundësuar rritje të mëtejshme ekonomike dhe sociale të Kosovës duke futur rrjete telekomunikacioni të teknologjisë së fundit”, kishte thënë ajo në këtë forum. /Insajderi.org/