
Një rrjet i sofistikuar i trafikut ndërkombëtar të drogës është goditur nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) në kuadër të aksionit të koduar “Qielli i Thyer”. Shtatë persona, mes tyre Astrit Kazmi, Argjend Qupevaj, Arben Qupevaj, Albin Qupevaj, Fatmir Mujaj, Visar Muriqi dhe Ekrem Bajrami, janë arrestuar nën dyshimin për trafik të narkotikëve dhe pastrim parash. Insajderi sjell dosjen e shtetit kundër tyre:
Dosja e Prokurorisë, të cilën e posedon Gazeta Insajderi, zbulon metoda të sofistikuara kriminale: Narkotikët transportoheshin nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia, dhe përpiqeshin të kamufloheshin në kontejnerë, kamionë dhe makina me bunkerë. Për të rritur peshën, droga përzihej me sodë bikarbonat dhe paketoheshin sërish për shpërndarje ndërkombëtare.
Përmes rrugëve tokësore, narkotikët hynin në Kosovë dhe më pas dërgoheshin në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete të tjera të BE-së, ndërsa një pjesë e marihuanës përfundonte edhe në Turqi, sipas dosjes.
Prokuroria thekson se grupi përdorte pasurinë e fituar nga trafiku i drogës për të maskuar origjinën e saj. Paratë investoheshin në biznese të ndryshme, prona të paluajtshme, vetura dhe banesa, duke u përfshirë kështu edhe në shpëlarje parash sipas Kodit Penal të Kosovës dhe ligjeve kundër financimit të terrorizmit.
Ky aksion është pjesë e një hetimi më të gjerë që përfshinë 22 persona të tjerë të arrestuar për trafik droge dhe pastrim parash. Identiteti i bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe brenda vendit pritet të zbulohet gjatë fazave të ardhshme të hetimit.
“Qielli i Thyer” ka zbuluar se grupi vepronte me plan dhe sofistikim të lartë, duke përdorur identitete të rreme, rrugë të fshehta transporti dhe metoda të sofistikuara për të fshehur narkotikët. /Insajderi.org/