
Kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës nga radhët e PDK-së, Rrahim Ternava, ka prezantuar projektin e tij urbanistik “Parku dhe lokalet pranë stacionit të trenit”, me qëllim të gjallërimit të jetës qytetare dhe krijimit të një hapësire moderne për qytetarët.
“Në zemër të Fushë-Kosovës, pranë stacionit të trenit, kemi menduar një projekt që i jep qytetit frymën moderne dhe të gjelbër që e meriton. Ky vend do të bëhet një hapësirë ku qytetarët do të pushojnë, do të kalojnë kohë me familje e shoqëri, por edhe do të gjallërohet jeta ekonomike e qytetit,” ka shkruar Ternava.
Projekti parashikon një park me drunj, lule dhe shëtitore të ndriçuara, lokale kafiteri dhe restorante me hapësira të bollshme për tavolina jashtë, si dhe një shesh pedonal të rrethuar me gjelbërim për aktivitete kulturore dhe festa komunitare.
Për qytetarët që vijnë me makina, projekti përfshin gjithashtu hapësira të rregulluara për parkim.
Ternava shtoi se iniciativa jo vetëm që do të zbukurojë zonën, por edhe do të sjellë përfitime ekonomike për qytetin, duke hapur vende pune dhe duke tërhequr vizitorë.
Ky projekt synon të krijojë një identitet të ri urban për Fushë-Kosovën dhe ta bëjë atë më të bukur, më të gjallë dhe më të dashur për banorët.