
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka folur për dallimet mes tij dhe kundërkandidatëve të tjerë në garë.
Ismaili tha se gjendja në të cilën ndodhet sot kryeqyteti është pasojë e qeverisjeve të kaluara nga të dy partitë e mëdha, të cilat kanë pasur rastin ta udhëheqin Prishtinën, por nuk kanë arritur të sjellin rezultate.
“Kandidatatura ime dhe programi im qëndrojnë ndryshe nga kandidatët e tjerë. Unë nuk kam premtuar për zgjidhje që vijnë pas pesë, shtatë apo tetë vitesh. Unë nuk flas për vitin 2035, nuk flas për mandate tetëvjeçare – unë flas për problemet reale të qytetarëve, që duhet të zgjidhen menjëherë,” u shpreh Ismaili i ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në TËVË1.
Ai shtoi se kundërshtarët e tij janë të shkëputur nga realiteti i Prishtinës, duke mos e kuptuar jetën dhe sfidat e përditshme të qytetit.
“Në Prishtinë të flasësh për vitin 2035 do të thotë se nuk e kupton aspak situatën në terren. Qyteti ka nevojë për zgjidhje urgjente, jo për vizione të largëta,” tha ai.