
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sot ka shpërndarë numrin e gjashtë të gazetës javore “Koha për Prishtinën”. Bashkë me një grup të madh kandidatësh për Asamble dhe vullnetarë, shpërndarja nisi në lagjen Qafa.
Ky numër mban titullin “Koha për Ndryshim”, ku fokusi është te problemi i mbeturinave dhe papastërtisë në kryeqytet. Në editorialin e tij, Ismaili thekson se Prishtina ka nevojë për transparencë dhe për një kryetar që merr përgjegjësi, duke e përsëritur zotimin e tij: “90% e premtimeve të përmbushura ose s’kërkoj më votë!”
Në këtë edicion janë trajtuar gjithashtu zgjidhjet për disa prej lagjeve dhe fshatrave të kryeqytetit – Tophane, Muhaxherë, Kalabri, Matiçan, Ulpianë dhe Barilevë – ku paraqiten projektet konkrete dhe identifikuese që adresojnë nevojat e qytetarëve në këto zona.
Gazeta sjellë edhe një editorial nga arkitektja dhe urbanistja Eliza Hoxha, e cila flet për barazinë gjinore në qytet dhe nevojën për rrugë të ndriçuara, transport publik të qasshëm dhe hapësira gjithëpërfshirëse që u shërbejnë grave dhe vajzave.
Ashtu si çdo javë, lexuesit do të gjejnë edhe rubrikat e rregullta si fjalëkryqin, karikaturën dhe “Renderat e harruar”.
Numri i plotë i gazetës mund të lexohet online në: https://kohaperprishtinen.com/wp-content/uploads/2025/09/gazeta-javore-6.pdf?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTAAYnJpZBExR2RYNkg5RTE5V0w0VE9nVwEecEYpq9jQlKZ1vpPFm48ByKBUZw-0akC18GdJOfox9p6LM6yzsZu-XyD8RRE_aem_BCTigeU15gqWQ2Yua-DAnw