E konfirmon Prokuroria: Në vitin 2020, psikiatri Kamberi u denoncua në Drenas për kërcënim dhe ngacmim - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    E konfirmon Prokuroria: Në vitin 2020, psikiatri Kamberi u denoncua në Drenas për kërcënim dhe ngacmim

    Insajderi
    29 September 2025 - 14:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Psikiatri 42-vjeçar nga Kosova, Behar Kamberi, u arrestua ditën e djeshme në Shqipëri nën dyshimin për përndjekje ndaj moderatores së njohur sportive, Albana Bejko.

    Sipas raportimeve, Kamberi ishte denoncuar më parë edhe në Kosovë për veprime të ngjashme.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Insajderi se më 20 tetor 2020 ishte pranuar kallëzim penal kundër Kamberit për veprat penale “Kanosje” dhe “Ngacmim”.

    Rasti ishte zgjedhur për ndërmjetësim, dhe më 3 dhjetor 2020 palët kishin arritur një marrëveshje përmes kësaj procedure.

    “Ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzimin penal të parashtruar nga Policia e Kosovës-Stacioni në Gllogoc me datën 20.10.2020, kundër të dyshuarit B.K, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale ”Kanosja” nga neni 181 dhe Ngacmimi nga neni 182 të KPRK-së. Prokurori i shtetit pas pranimit të kallëzimit penal dhe shkresave të lëndës ka vlerësuar se, rasti mund të referohet për ndërmjetësim, me datë 03.12.2020, zyra për ndërmjetësim, ka paraqitur në Prokurori marrëveshjen e ndërmjetësimit të arritur në mes të palëve të përfshira në rast, si dhe palët me vullnetin dhe pajtimin e tyre kanë zgjidhur rastin sipas ligjit për ndërmjetësim”, thuhet në përgjigje e prokurorisë për Insajderin.

    Theksojmë se Behar Kamberi, është arrestuar së fundmi nga policia shqiptare nën dyshimin për përndjekje të moderatores sportive Albana Bejko.

    Sipas mediave shqiptare, Kamberi dyshohet se e ka ndjekur vazhdimisht moderatoren, duke u paraqitur në mënyrë të përsëritur pranë banesës së saj, gjë që ka shkaktuar shqetësim të madh.

    Moderatorja ka bashkëpunuar me autoritetet për të organizuar një takim në një zonë të Tiranës, ku mjeku është ftuar të paraqitej. Në momentin që ai ka mbërritur, oficerët e Komisariatit Nr. 2 kanë ndërhyrë dhe kanë kryer arrestimin e tij.

    Behar Kamberi ndodhet aktualisht në paraburgim në burgun “Mine Peza”, dhe ndaj tij rëndon akuza për përndjekje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark