
Më 30 shtator 2000, një ngjarje tragjike ndodhi në Rripin e Gazës që tronditi opinionin publik ndërkombëtar dhe u shndërrua në një nga pamjet më të fuqishme të konfliktit izraelito-palestinez. Muhamed al-Durrah, një djalë palestinez vetëm 12-vjeç, u vra nga forcat izraelite ndërsa qëndronte i strehuar pas trupit të të atit, Jamal al-Durrah, në përpjekje për t’u mbrojtur nga breshëria e plumbave.
Pamjet televizive të transmetuara nga kanali francez France 2, të cilat tregojnë momentet e fundit të jetës së Muhamedit dhe përpjekjet e dëshpëruara të babait për ta mbrojtur, u përhapën me shpejtësi në mbarë botën. Ato u bënë simbol i vuajtjes së popullit palestinez dhe ndezën zemërim e protesta në shumë vende të botës arabe dhe përtej saj.
Ngjarja ndodhi në ditët e para të asaj që më vonë u quajt Intifada e Dytë Palestinëse – një kryengritje masive kundër pushtimit izraelit, e cila zgjati disa vite dhe solli mijëra viktima nga të dyja palët.