Tension në kufirin me Gazën: Izraeli ndalon flotën e ndihmave dhe arreston aktivistë/ PAMJE - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Tension në kufirin me Gazën: Izraeli ndalon flotën e ndihmave dhe arreston aktivistë/ PAMJE

    Insajderi
    02 October 2025 - 09:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Marina izraelite ka ndaluar disa anije të flotiljes ndërkombëtare që transportonin ndihma për Gazën, duke ndaluar gjithashtu aktivistë në bord, përfshirë ambientalisten suedeze Greta Thunberg.

    Flota përbëhej nga më shumë se 40 anije dhe rreth 500 aktivistë të ardhur nga vende të ndryshme.

    Izraeli pretendon se flotilja po shkelte një bllokadë detare të ligjshme dhe i kishte paralajmëruar më parë të ndryshonin kursin. Ndërhyrja ndodhi rreth 70 milje larg bregdetit të Gazës.

    Grupi organizator, Flotilja Globale Sumud (GSF), e cilësoi ndërhyrjen si “të paligjshme” dhe akuzoi Izraelin për “dëmtim të qëllimshëm të komunikimeve” dhe përdorim force, duke përfshirë përplasjen e qëllimshme të një anijeje dhe përdorimin e topave të ujit ndaj të tjerave.

    Pjesa tjetër e flotës, rreth 30 anije, raportoi se vazhdonin lundrimin drejt Gazës në kohën e incidentit. Izraeli publikoi pamje ku shfaqej Thunberg në bord duke marrë ndihmë nga ushtarët izraelitë dhe konfirmoi se ajo dhe të tjerët ishin “të sigurt”.

    Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare. Turqia e dënoi ndërhyrjen si “akt terrorizmi”, ndërsa presidenti i Kolumbisë dëboi diplomatët izraelitë dhe pezulloi marrëveshjen tregtare me Izraelin. Franca, Italia dhe Irlanda kërkuan respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe trajtim të sigurt për shtetasit e tyre në bord.

    Organizatat humanitare dhe OKB kanë paralajmëruar për krizë të rëndë në Gaza, me mungesë të theksuar ushqimi dhe ilaçesh. Izraeli akuzon Hamasin për keqpërdorim të ndihmave dhe mbështet një sistem alternativ shpërndarjeje, të cilin OKB e refuzon si jolegjitim.

    Ndërsa ofensiva në Qytetin e Gazës po intensifikohet, perspektiva për ndihmë të pandërprerë mbetet e zymtë, mes bllokadave dhe përplasjeve diplomatike në rritje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark