Keqpërdorime financiare dhe dyshime për abuzim me fondet publike nga pushtetari Ekrem Kastrati në Malishevë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Keqpërdorime financiare dhe dyshime për abuzim me fondet publike nga pushtetari Ekrem Kastrati në Malishevë

    Insajderi
    02 October 2025 - 16:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.


    Një nga projektet më ambicioze dhe më të kushtueshme të komunës së Malishevës, ndërtimi i sheshit, nënkalimeve dhe parkingut nëntokësor, po del të jetë një katastrofë financiare dhe planifikimi. Qytetarët, që kishin pritur hapësira moderne publike dhe përmirësim të infrastrukturës, sot shohin rrugë e ura të papërfunduara, ndërtesa të rrënuara dhe projekte të tjera kapitale të bllokuara për shkak të dyshimeve për keqpërdorime. Auditori i jashtëm ka qenë i ashpër në konstatime.

    Gazeta Insajderi

    Komuna që drejtohet tash e katër vite nga pushtetari Ekrem Kastrati, i NISMA-s, nën kujdesin e të cilit u nis një projekt ambicioz, që duket se po “ha” buxhetin e komunës. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka qenë e ashpër me pushtetin në Malishevë dhe ka evidentuar shkelje të shumta në financa, procedura prokurimi dhe menaxhimin e projekteve. 

    Kontrata milionëshe dhe mospërputhja me buxhetin 

    Në janar 2023, Komuna e Malishevës nënshkroi një kontratë prej 8,28 milionë € për ndërtimin e sheshit, nënkalimeve dhe parkingut nëntokësor. Kontratën për këtë punë e fitoi konzorciumi B FAMIS SH.P.K.; Best Company SH.P.K.; Company Eskavatori Sh.p.k. Ky projekt sipas Ligjit të Buxhetit për vitet 2023-2025 parashikonte vetëm pak më shumë se 2 milionë €. Diferenca dramatike prej 6 milionë eurosh tregon një mospërputhje flagrante midis planeve dhe veprimeve financiare të komunës, shkruan Insajderi.

    Për të mbuluar mungesën e fondeve, Komuna mori 520 mijë € nga gjashtë projekte kapitale të tjera: 

    – Ura e Mirushës: 50,000 € 
    – Rrugët anësore të lumit Mirusha: 192,932 € 
    – Garazhet e QKMF-së: 100,000 € 
    – Hyrja e administratës: 40,000 € 
    – Shtëpia për personat me aftësi të kufizuara: 20,000 € 
    – Asfaltimi i rrugëve në 14 fshatra: 74,607 € 

    ZKA ka konstatuar: “Një pjesë e konsiderueshme e fondeve nuk është përdorur për qëllimin e planifikuar. Ridestinimi i mjeteve në disa raste është bërë pa respektuar procedurat dhe disa projekte kanë mbetur pa u realizuar.” Komuna nuk dha koment mbi këto ridestinime dhe mungesën e vendimeve të Kuvendit për disa projekte. 

     Çmimet e fryra dhe dyshime për abuzim në tenderë 

    Auditimi zbuloi se 28% e pozicioneve të projektit kishin çmime të fryra, me devijime që shkonin deri në 1600% krahasuar me vlerësimet fillestare. Një nga rastet më flagrante ishte për pilotët e betonit për parkingun nëntokësor, ku çmimi i kontratës ishte deri në 16 herë më i lartë se tregu. 

    “28% e pozicioneve të projektit janë vërejtur mospërputhje mes çmimeve të vlerësuara dhe atyre të kontraktuara. Devijimet shkojnë deri në 1600%,” konstaton raporti. Komuna nuk ka emëruar menaxher kontrate dhe ndryshimet në punime nuk u dokumentuan për rreth dy vite. “Menaxheri i kontratës ishte pa kualifikim përkatës, dhe nuk u emërua organ mbikëqyrës i pavarur për realizimin e kontratës”, thuhet tutje. 

    Ndryshimet e projektit dhe rrënimet e panevojshme 

    Në rrugën Imer Krasniqi, projekti i modifikuar nga Komuna ndryshoi shiritin e komunikacionit, duke shtuar dy shirita dales, ndërkohë që në projektin bazik ishte parashikuar vetëm një. Kjo solli: 
    – Rrënie të disa objekteve të biznesit 
    – Shpronësime të pronave private, disa me marrëveshje të fshehta dhe premtime për vlera të mëdha financiare 
    – Kosto shtesë për ndërtimin e shiritave të komunikacionit 

    Rreth-rrotullimi që lidh qendrën e Malishevës me Rahovecin nuk u realizua për të shmangur shpenzime, por u devijua drejt Sahat Kullës dhe Muzeut të qytetit, me qëllim ndërtimin e objekteve banimi për interesa të grupeve të caktuara, raporton Insajderi.

    “Komuna ka nisur procedurat e shpronësimit vetëm në qershor 2024, rreth 18 muaj pas fillimit të punimeve. Kjo mund të shkaktojë kosto shtesë dhe hapësirë për mbivlerësime nga pronarët,” thuhet në raport. Sipas ZKA, “komuna është dashur të angazhojë kompani tjetër për rrënime, me kontratë kornizë deri në 195 mijë €, duke shkaktuar kosto shtesë dhe zvarritje.” 

    Muzeu dhe Sahat Kulla – ndërhyrje pa leje 

    Komuna planifikoi rrënimin e Kullës dhe Muzeut të qytetit pa lejen e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe MKRS. Ministria ndërhyri dhe ndaloi punimet, por Komuna ndërtoi bypass të përkohshëm, duke anashkaluar pengesën. “Komuna kishte planifikuar rrënimin pa konsultuar autoritetet përkatëse. Ndërhyrja ishte e paligjshme,” konstaton raporti. 

     Projekte dytësore dhe shpenzime të paplanifikuara 

    Përveç projektit kryesor, Komuna ndërmori një seri ndërhyrjesh dytësore që rezultuan të shtrenjta dhe të paplanifikuara: 
    – “Rruga drejt fshatit Kijeve:” dy shirita dales dhe shpronësime të mëdha 
    – “Rruga për Lumin Mirusha:” u pagua dy herë për të njëjtin projekt, fillimisht 103 mijë € dhe më pas me kontratë tjetër 
    – “Bypass për të anashkaluar Muzeun:” kosto e panevojshme dhe rrënie e objekteve përreth 

    ZKA ka kryer edhe një anketë: 74% e qytetarëve dhe 76% e bizneseve u informuan vetëm pasi punimet kishin filluar, kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe tabelave në vendndodhje. Pjesëmarrja në vendimmarrje ishte minimale dhe sipërfaqësore. Raporti gjen se “Komuna nuk ka kthyer përgjigje lidhur me rekomandimet dhe gjetjet tona”, shkruan Insajderi.

    Shpenzimet totale 

    Deri mars 2025: 6,66 milionë € të shpenzuara. 

    Në prill 2025: aneks-kontratë 823,500 €, duke e çuar totalin në 9,11 milionë €, përkundër buxhetit të planifikuar prej 7,35 milionë €. Vetëm në vitin 2023, 520 mijë € u morën nga projekte të tjera kapitale, duke i lënë këto projekte pa u realizuar. 

    Projekti i sheshit, nënkalimeve dhe parkingut nëntokësor, i nisur si një iniciativë për zhvillim, është kthyer në një ‘gropë financiare’ që po penalizon qytetarët. Çmimet e fryra, keqpërdorimet, ndërhyrjet pa leje, shpronësimet e vonuara dhe mungesa e transparencës tregojnë një model menaxhimi publik të dështuar, ku prioritet dyshohet se janë përfitimet e grupeve të caktuara dhe jo nevojat reale të qytetarëve të Malishevës. /Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark