
Drejtori ekzekutiv i kompanisë së fluturimeve “Ryanair”, Michael O’Leary, ka akuzuar Bashkimin Evropian se ka dështuar të mbrojë aeroportet nga dronët që fluturojnë pranë tyre, duke kërkuar që ato të rrëzohen menjëherë për të shmangur rrezikun në trafikun ajror.
“Pse nuk po i rrëzojmë këta dronë?”, deklaroi ai në një intervistë për Politico, duke iu referuar incidenteve të fundit në aeroportet evropiane, përfshirë atë të Kopenhagenit.
Sipas O’Leary, vetëm tre javë më parë, dronët fluturuan mbi Poloni duke detyruar mbylljen e aeroporteve për katër orë, ndërsa javën e kaluar aeroportet daneze u pezulluan për rreth dy orë. Ai e cilësoi situatën “shqetësuese” dhe kërkoi veprime të menjëhershme.
Megjithatë, ai shtoi se ngritja e një “muri kundër dronëve” nuk është zgjidhje efektive, pasi sipas tij “rusët mund të lëshojnë një dron edhe nga brenda Polonisë”.
“Nuk kam besim tek udhëheqësit evropianë që ulen duke pirë çaj dhe ngrënë biskota. Nëse ata nuk mund të mbrojnë as fluturimet mbi Francë, çfarë shanse kemi për t’u mbrojtur nga Rusia?”, tha ai.
Ai gjithashtu kritikoi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e quajtur “të padobishme” dhe duke kërkuar dorëheqjen e saj.