Bllokada politike, Artan Nimani tregon pasojat që do t'i kenë qytetarët nëse Kuvendi nuk e miraton buxhetin deri në fundvit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Bllokada politike, Artan Nimani tregon pasojat që do t’i kenë qytetarët nëse Kuvendi nuk e miraton buxhetin deri në fundvit

    Insajderi
    03 October 2025 - 12:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Profesori universitar dhe politikani Artan Nimani ka ngritur alarmin lidhur me mungesën e miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2026 brenda afatit ligjor, duke e cilësuar situatën si një rrezik të drejtpërdrejtë për funksionimin normal të institucioneve dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

    Përmes një reagimi publik, Nimani ka rikujtuar se Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i ndryshuar dhe plotësuar me kohë, obligon Kuvendin e Republikës së Kosovës që ta miratojë buxhetin para përfundimit të vitit fiskal, konkretisht deri më 31 dhjetor.

    “Në të kundërtën, të gjitha ndarjet buxhetore skadojnë dhe vendi hyn në një vakuum financiar e institucional”, ka paralajmëruar ai.

    Sipas Nimanit, pasojat e mosmiratimit të buxhetit nuk janë vetëm çështje teknike apo procedurale, por prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe ekonominë e vendit. Në mungesë të një buxheti të miratuar, ai liston një sërë rreziqesh:

    • Administrata publike rrezikon të mbetet pa paga.
    • Projektet kapitale dhe zhvillimore ndalen menjëherë.
    • Bizneset, që varen nga kontratat publike, mbeten pezull.
    • Shërbimet bazike për qytetarët dobësohen ndjeshëm.

    Ky është postimi i tij i plotë:

    Mungesa e miratimit të buxhetit të vitit 2026 brenda afatit ligjor është një alarm serioz për shtetin tonë. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (Nr. 03/L-048), i ndryshuar dhe plotësuar më vonë, është i qartë: Kuvendi i Republikës së Kosovës është i obliguar të miratojë buxhetin para përfundimit të vitit fiskal, përkatësisht deri më 31 dhjetor. Në të kundërtën, të gjitha ndarjet buxhetore skadojnë dhe vendi hyn në një vakuum financiar e institucional.

    Pasojat nuk janë thjesht teknike, ato prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Pa buxhet të miratuar:

    • Administrata publike rrezikon të mbetet pa paga.

    • Projektet kapitale dhe zhvillimore ndalen menjëherë.

    • Bizneset që varen nga kontratat publike mbeten pezull.

    • Shërbimet bazike për qytetarët dobësohen.

    Ligji njeh vetëm një mundësi zgjatjeje të përkohshme të shpenzimeve, për maksimum tre muaj, në rast vonesash apo zgjedhjesh, duke u bazuar në një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraprak. Pas këtij afati, asnjë institucion nuk ka të drejtë të kryejë shpenzime, përveç shlyerjes së borxhit publik të ligjshëm.

    Ky është standard i njohur edhe në praktikat ndërkombëtare të menaxhimit fiskal , ku vonesat në miratimin e buxhetit konsiderohen rrezik për stabilitetin makroekonomik dhe besueshmërinë e shtetit.

    Nëse lejojmë që vendi të mbetet pa buxhet, atëherë jo vetëm që paralizohet qeverisja, por cenohet edhe kontrata sociale mes shtetit dhe qytetarëve. Në një kohë kur ekonomia është e brishtë dhe varfëria prek çdo ditë më shumë familje, mungesa e përgjegjësisë politike do të ishte goditje fatale.

    Unë nuk dua të imagjinoj Kosovën pa buxhet të miratuar. Përgjegjësia është mbi supet e përfaqësuesve të Kuvendit dhe të Qeverisë, ligji është i qartë, praktikat janë të njohura, pasojat janë të parashikueshme. Të luash me buxhetin do të thotë të luash me jetën dhe sigurinë e qytetarëve të vendit tënd.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark