
Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, do të synojë të thyejë një rekord të “Maceve të Zeza” kur të udhëheqë ekipin e tij ndaj Manchester United këtë fundjavë.
Xhaka dhe Sunderland do të përballen me “Djajtë e Kuq” në njërën nga vetëm dy ndeshjet e Premier League të së shtunës në orën 15:00, duke kërkuar të vazhdojnë fillimin e mirë të këtij sezoni.
Gjashtë skuadrat e fundit që janë ngjitur nga Championshipi janë rikthyer menjëherë poshtë në sezonin e parë, por Sunderland, Leeds United dhe Burnley kanë treguar mjaftueshëm se janë të gatshme të luftojnë më shumë në 2025-26.
Nën drejtimin e Regis Le Bris, Sunderland e ka nisur sezonin me vetëm një humbje në gjashtë ndeshjet e para të Premier League.
Ata kanë mposhtur West Ham United, Brentford dhe Nottingham Forest, ndërsa kanë barazuar me Crystal Palace dhe Aston Villa.
Që nga fitorja në shtëpi ndaj Brentford në fund të gushtit, Xhaka ka dhënë tri asiste radhazi.
Nëse realizon edhe një tjetër, mesfushori zviceran me prejardhje shqiptare dhe ish-lojtari i Arsenalit do të bëhej futbollisti i parë i Sunderlandit që regjistron katër asiste rresht që nga viti 1997.
I fundit që e arriti këtë ishte Chris Waddle, i cili iu bashkua Sunderlandit në mars të vitit 1997, më shumë se dy dekada pasi kishte bërë emër te rivalët e hidhur Newcastle United.
Ai luajti shtatë ndeshje në kampionat me fanellën kuqe-bardhë – një shifër që Xhaka do ta barazojë nëse paraqitet ndaj Man Utd këtë fundjavë – por arriti gjithashtu të shënojë një gol dhe të japë disa asiste kundër Nottingham Forest, Newcastle, Liverpool dhe Middlesbrough.
Waddle grumbulloi pesë asiste për Sunderland përpara se të largohej në maj dhe të bashkohej me Burnley si lojtar-trajner.
33-vjeçari Xhaka nënshkroi për Sunderland nga Bayer Leverkusen gjatë merkatos së verës dhe ka pasur ndikim të madh te skuadra e sapopromovuar.
Asisti i parë i kapitenit të “Maceve të Zeza” në këtë seri erdhi në kohën shtesë kundër Brentford në gusht, kur shërbeu me kros për golin me kokë të Wilson Isidor.
Ai e shërbeu sërish Isidorin, këtë herë me një top me kokë, kur Sunderland me dhjetë lojtarë barazoi kundër Aston Villës muajin e kaluar.
Ndërsa ish-lojtari i Arsenalit e çoi në tre asiste rresht fundjavën e kaluar, duke krijuar golin me kokë të Omar Alderete ndaj Nottingham Forest.