
Në shtator të këtij viti, fshati Llapashticë i Podujevës u trondit nga një ngjarje e rëndë, kur një burrë u vra me armë zjarri brenda një veture. Viktima u identifikua si Bashkim Spahiu, banor i fshatit Gllamnik, ndërsa i dyshuari për vrasjen është Arbër Havolli.
Sipas burimeve të Insajderit, Spahiu kishte shkuar në shtëpinë e të dyshuarit në Llapashticë. Aty, Havolli dyshohet se ka qëlluar 10 herë me armë në drejtim të Spahiut, duke e lënë të vdekur brenda një veture të tipit Opel.
Megjithëse kanë kaluar rreth një muaj nga kjo ngjarje tragjike, Arbër Havolli ende nuk është arrestuar. Përkundrazi, ai ka vazhduar të jetë aktiv në rrjetet sociale.
Nga arratia, ai ka postuar një video në llogarinë e tij në TikTok, ku në sfondin e disa fotove të tij dëgjohet një mesazh kërcënues:
“Mos më vë kurrë në një pozitë ku më duhet të të tregoj sa i ftohtë dhe i pamëshirshëm mund të jem. Mos e sprovo durimin tim, sepse mund të jem njeriu më i sjellshëm dhe më i ëmbël që ke takuar ndonjëherë, por sapo të arrij kufirin tim, do të më shohësh duke bërë gjëra që askush nuk do ta kishte imagjinuar se do të isha në gjendje të bëja”, është mesazhi i vendosur në videon e publikuar.
@arbrhawolli #albania🇦🇱 #italy🇮🇹 #zvicerland🇨🇭 #spanje🇪🇸 #portugal🇵🇹 ♬ Originalton – 𝓜𝓐𝓜𝓐-𝓛𝓲𝓝𝓐*⁰⁵*🦅
Insajderi ka siguruar edhe video ku Havolli shihet duke shtënë me armë në një ambient të hapur. Në pamje të tjera, të publikuara gjithashtu në TikTok përpara vrasjes, ai shfaqet në ambiente publike me armë në brez.
Përkundër faktit që pamjet janë publike dhe identiteti i të dyshuarit është i njohur, ai vazhdon të jetë i pakapshëm për organet e rendit.