
Kandidati për Asamblenë e Prishtinës nga PDK, Andi Belegu (nr. 50), ka ndarë kujtimet për Kurrizin, një nga vendet simbolike të kryeqytetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Belegu kujtoi historitë që prindërit e tij i kanë treguar për netët kur rinia e Prishtinës jetonte natën si formë rezistence, për kafet e vogla, muzikën e ulët dhe shoqëritë që nuk i ndante as frika.
“Aty ku sot ecim para dyqaneve të lëna në mëshirë të kohës, dikur janë ndarë ëndrra, plane, dashuri e debate që mbaheshin gjatë gjithë natës. Kurrizi ka qenë zemra e qytetit, vendi ku njerëzit e Prishtinës e gjenin njëri-tjetrin edhe në kohët më të vështira”, shkruan Belegu.
Ai theksoi se edhe pse së fundi është renovuar tuneli i Kurrizit, jeta kulturore e tij nuk ka pasur kurrë qendër në tunel, por gjithmonë ka lëvizur nëpër lokale, biseda dhe atmosferën e lirë që ka mbajtur gjallë qytetin.
“Kurrizi nuk është thjesht një vend. Është kujtesa e një kohe kur qyteti jetonte me shpirt, dhe ku rinia e tij e sfidonte errësirën me dritë”, përfundon Belegu.