
Aktivisti italian Tommaso Bortolazzi, kapiteni i anijes Maria Cristin, e cila ishte pjesë e Flotiljes Globale Sumud (GSF), u konvertua në islam ndërsa ishte nën paraburgimin e forcave izraelite, pasi flotilja u ndalua në ujërat ndërkombëtare gjatë rrugës për në Gaza.
Flotilja, e përbërë nga rreth 44 anije dhe disa qindra aktivistë nga vende të ndryshme, u nis nga Barcelona më 30 gusht me qëllim që t’u dërgonte ndihmë humanitare njerëzve të Gazës.
Forcat izraelite ndaluan anijet natën e 1 tetorit, ndaluan disa pjesëmarrës, përfshirë Bortolazzin, dhe deportuan disa prej tyre më 4 tetor.
Pas lirimit të tij, kapiteni italian foli me gazetarët në Stamboll, duke thënë se përvoja e tij në paraburgim dhe besimi i shoqëruesve të tij turq e frymëzuan atë të konvertohej në Islam.
Në videot që janë përhapur në rrjete sociale, Bortolazzi flet për përvojën dhe besimin e tij të ri.
“Ekipi im ishte nga Turqia dhe pothuajse të gjithë ishin myslimanë. Ndërsa po luteshin, oficerët e policisë izraelite hynë dhe i ndërprenë. Ndjeva nevojën t’u kundërvihesha dhe më pas, me mikun tim, thashë shahadetin”, tha Bortolazzi për mediat turke.