
Është zbardhur dëshmia e Ervis Kurtaj, i cili mbeti i plagosur së bashku me babain e tij Ragip Kurtaj, në seancën gjyqësore ku mbeti i vrarë me armë zjarri gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, krim i ndodhur mesditën e 6 Tetorit.
Ervis Kurtaj, i cili ishte palë në çështje, ka deklaruar se Elvis Shkambi u ngrit nga karrigia dhe qëlloi disa herë gjyqtarin, sapo ky i fundit dha vendimin në favor të tyre.
Ai theksoi se në atë moment mori nga dora të atin dhe nisi të largohej nga salla e gjyqit. Por, theksoi se “sapo kam kaluar derën e sallës Elvisi u kthye duke qëlluar drejt nesh”.
“Kur gjyqtari Astrit Kalaja mori vendim që ishtë në favor tonin, në atë moment është cuar nga karrigia Elvisi dhe i është afruar duke qëlluar disa herë më armë zjarri. Në dukje ishte armë e vogel, por sa dëgjova krismat kapa babin tim nga dora dhe nisa të largohem drejt korridorit ku sapo kam kaluar derën e sallës Elvisi u kthye duke qëlluar drejt nesh”, ka deklaruar ai për hetuesit.
Ditën e sotme (8 Tetor) mbahen homazhet në nder të gjyqtarit, që nisën në orën 09:00 dhe pritet të përfundojnë në orën 11:00.
Figura e Astrit Kalasë do të nderohet nga figura shtetërore, kolegë, miq e familjarë, të cilët do t’i japin sot lamtumirën e fundit.
Gjyqtari Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi, xhaxhai i të cilit, Gjon Shkambi ishte palë në gjyqin që po zhvillohej për një çështje pronash. Të plagosur gjithashtu mbetën dhe babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin palë e tretë në këtë çështje.
Si hyri në gjykatë me armë autori
Sipas hetimeve, në orën 13:42 të ditës së ngjarjes, Elvis Shkambi mbërriti në ambientet e Gjykatës së Apelit së bashku me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi. Të dy kaluan nëpër pajisjen e skanimit në hyrje, e cila sinjalizoi prezencën e metaleve. Më konkretisht, pajisja ndezi dritat e kuqe, duke paralajmëruar për objekt metalik, me shumë gjasë armën e zjarrit që Elvis Shkambi mbante në brez.
Megjithatë, punonjësi i sigurisë në detyrë, Banush Koxhaj, nuk ndërmori asnjë veprim kontrolli, duke qëndruar i ulur në vendin e tij dhe duke mos ushtruar kontroll fizik ndaj personave apo t’i regjistronte në librin e hyrje-daljeve, siç e parashikon protokolli i sigurisë.
Pas hyrjes në ambientet e brendshme të gjykatës, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi qëndruan për rreth dy orë në hollin e pritjes së publikut, pa ngjallur dyshime.
Rreth orës 15:29, të dy u futën në sallën nr. 3 ku po zhvillohej seanca gjyqësore me objekt “Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore”, në të cilën palë ishin Ragip Kurtaj dhe djali i tij Ervis Kurtaj, ndërsa pala e paditur ishte përmbaruesi T. M. dhe të tretë shtetasit Gjon Shkambi dhe Elvis Shkambi, Në orën 15:35, menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja. shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxori nga brezi armën e zjarrit dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit, duke e lënë të plagosur rëndë. Gjyqtari ndërroi jetë gjatë transportit për në spital. Pas vrasjes, autori qëlloi edhe drejt palës paditëse Ragip Kurtaj dhe djalit të tij, duke i plagosur të dy, por pa rrezik për jetën.
Dorëzimi i armës dhe arrestimi
Pas të shtënave, autori doli nga salla e gjyqit dhe dorëzoi armën tek një punonjës gjyqësor që ndodhej në një sallë tjetër. Më pas, doli në oborrin e gjykatës ku u neutralizua dhe arrestua menjëherë nga forcat e policisë që kishin mbërritur në vendngjarje.
Hetimet zbuluan se xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi nuk tentoi në asnjë moment të ndalonte krimin dhe dyshohet se ka pasur dijeni për planin, duke u konsideruar si shtytës ose ndihmës në vrasje.
Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, po hetohet për shpërdorim detyre, pasi lejoi hyrjen e autorit të armatosur në ambientet e gjykatës, duke mos ndërhyrë edhe pasi pajisja e skanimit dha sinjal alarmi.
Deshmia e autorit
I riu ka deklaruar se i kishte ardhur ne maje te hundes me gjyqet dhe se mori vendimin per ta qelluar sapo kishte mesuar se gjyqtari do te shprehej kunder tyre.
“Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Dëgjova që mori vendimin në favor të palës tjetër. Unë nuk e kam menduar përpara vrasjen, por aty m’u mbush mendja për ta vrarë, kur dha vendim kundër nesh”, ka thënë autori, Elvis Shkambi.