
Tre arinj dyshohet se kanë hyrë në pronën e një burri në fshatin Bllacë të Suharekës dhe i kanë dëmtuar 35 koshere bletësh, teksa ditë më parë kanë dëmtuar edhe një varrezë në të njëjtin fshat.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se qytetari ka shprehur shqetësim se prania e arinjve mund të paraqesë rrezik edhe për njerëzit.
“Sipas deklaratës së qytetarit, para disa ditësh, arinjtë kanë dëmtuar edhe një varrezë në të njëjtin fshat. I njëjti ka shprehur shqetësimin e tij se prania e arinjve mund të paraqesë rrezik edhe për bagëtitë dhe për njerëzit”, ka thënë Bytyqi.
Policia ka ftuar qytetarët të kenë kujdes, sidomos gjatë lëvizjes në zonat e pyllëzuara apo afër vendbanimeve ku mund të paraqiten kafshë të egra.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar të monitorojë situatën dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për sigurinë e qytetarëve”, tha Bytyqi.