
Kandidati për Asamble në Komunën e Skenderajt nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Seferi (nr. 25), ka prezantuar projektin ambicioz për ndërtimin e Digës së Kuqicës, të cilën e cilëson si një ndër idetë më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës.
Seferi ka shkruar se ky projekt do të sigurojë ujë, energji të pastër dhe mundësi të reja turizmi për qytetarët e Skenderajt.
“A dëshironi që pas katër viteve Skenderaj të ketë 90% energji të pastër, të prodhuar nga dielli dhe uji ynë? Projekti ynë për Digen e Kuqicës është më shumë se një ide – është plan konkret i zhvillimit për një komunë që mendon për të ardhmen,” ka shkruar Seferi.
Ai ka theksuar disa nga përfitimet konkrete të projektit:
• vendosja e paneleve fotovoltaike mbi liqenin për prodhim energjie të gjelbër,
• instalimi i rotorëve në rrjedhën e kontrolluar të ujit për energji elektrike,
• krijimi i një shtegu rekreativ dhe ciklistik për banorë dhe turistë,
• zhvillimi i agroturizmit dhe bujqësisë moderne në zonën përreth,
• ndërtimi i një qendre turistike dhe edukative për ruajtjen e mjedisit dhe promovimin e energjisë së pastër.
Sipas Seferit, “Diga e Kuqicës” do të bëhet zemra e re e zhvillimit të Skenderajt, ku “uji, drita dhe natyra takohen për të krijuar jetë dhe ekonomi të qëndrueshme”.
Sipas tij ky projekt do të mundësohet vetëm me menaxhimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Skenderajt.
“Nga uji lind jeta. Nga drita lind e ardhmja. Nga vendimi juaj lind zhvillimi. Nga Vetëvendosje lulëzon jeta,” ka përfunduar Seferi.