
Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kuvendin Komunal të Gjilanit, Mrika Krasniqi Shala, ka bërë thirrje për mbështetje nga banorët e lagjeve “Reshat Ymeri” (7 Korriku), “Abdullah Preshava” dhe “Dheu i Bardhë”.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, ajo ka kërkuar që në këto zgjedhje t’u jepet besimi atyre që me të vërtetë e ndjejnë përgjegjësinë për komunitetin dhe jo atyre që, sipas saj, për katër vite me radhë nuk kanë dëgjuar zërin e banorëve.
“Mos i votoni ata që për 4 vite rresht nuk e kanë dëgjuar zërin tuaj, që e kanë harruar lagjen tuaj dhe që nuk kanë sjellë asnjë investim real në infrastrukturë, punësim apo në çështjet që prekin jetën e përditshme të qytetarëve tanë”, ka thënë Krasniqi Shala.
Ajo ka theksuar se vizioni i saj është ngritja e zërit të qytetarëve të anashkaluar dhe kthimi i dinjitetit në vendimmarrje lokale.
“Së bashku mund ta ngremë zërin e qytetarëve të anashkaluar, ta kthejmë dinjitetin dhe të sjellim zhvillim e mundësi për të gjithë,” ka shtuar ajo.
Mrika Krasniqi Shala garon me numrin 6 në listën e PDK-së (nr. 191) në zgjedhjet komunale në Gjilan.