
Pesë gra dhe dy burra janë arrestuar në një shtëpi në fshatin Shtedim të Podujevës nën dyshimin për veprimtari të paligjshme me substanca narkotike.
“Sot rreth orës 12:00, njësitë e hetimeve nga Stacioni Policor Podujevë, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë ndërmarrë një aksion me ç’ rast kanë arrestuar 7 persona. Informatat e siguruara në rrugë operative, kanë mundësuar që hetuesit të identifikojnë një lokacion në fshatin Shtedim – Podujevë, ku dyshohej për veprimtari të paligjshme me substanca narkotike. Gjatë kontrollit në një shtëpi, policia ka arrestuar shtatë persona, shtetas nga Republika e Shqipërisë (pesë femra dhe dy meshkuj)”, tha policia.
Në vendngjarje përveç një sasie të konsiderueshme të substancave narkotike, është gjetur edhe aparaturë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike.