Policia e Kosovës ka bërë thirrje publike për të gjithë votuesit që të mos fotografojnë apo incizojnë fletët e votimit, pasi një veprim i tillë është i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje serioze të fshehtësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor.
Sipas autoriteteve policore, janë pranuar informacione operative që tregojnë se individë të lidhur me Listën Serbe mund të kërkojnë nga votuesit që të dokumentojnë votën e tyre me telefon apo pajisje të tjera brenda kabinës së votimit.
Policia njofton se është e angazhuar maksimalisht në parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre veprimeve, të cilat përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ndaj votuesve dhe dëmtojnë procesin demokratik.
“Fotografimi i fletës së votimit është i ndaluar me ligj. Në të kaluarën, shumë qytetarë janë përballur me pasoja ligjore për shkak të këtij veprimi, i cili shpesh është përdorur për të vërtetuar se votuesit kanë votuar nën presion ose sipas udhëzimeve të dikujt tjetër,” thuhet në njoftimin e Policisë.