Autoritetet izraelite kanë njoftuar Kombet e Bashkuara se do të zvogëlojnë ose vonojnë hyrjen e kamionëve humanitarë në Rripin e Gazës, për shkak të numrit të kufizuar të pengjeve të vdekur që janë dorëzuar deri më tani nga Hamasi, ka bërë të ditur të martën një zëdhënëse e OKB-së.
Olga Cherevko, zëdhënëse e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në Gaza, tha gjatë një konference për media se Izraeli ka njoftuar zyrtarisht OKB-në për reduktimin ose vonesën e ndihmave, raporton CNN, përcjell Insajderi.
“Kemi marrë këtë komunikim nga autoritetet izraelite dhe, natyrisht, vazhdojmë të inkurajojmë palët që t’u përmbahen marrëveshjeve të përcaktuara në kuadër të armëpushimit,” tha ajo, sipas raportimit të agjencisë Reuters.
Sipas një shënimi të siguruar nga Reuters, Izraeli ka njoftuar se nga e mërkura do të lejojë vetëm 300 kamionë ndihmash, që përbën gjysmën e numrit të rënë dakord, ndërsa karburanti dhe gazi nuk do të lejohen të hyjnë në territor, përveç rasteve të veçanta që lidhen me infrastrukturën humanitare.
CNN raportoi se nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë shifër dhe ka kontaktuar autoritetet izraelite, përfshirë agjencinë COGAT, e cila kontrollon hyrjen e ndihmave në enklavë.
Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA, Hamasi dhe aleatët e tij duhej të dorëzonin të gjithë pengjet e mbetura – të gjallë dhe të vdekur – brenda 72 orëve nga shpallja e armëpushimit.
Megjithatë, deri më tani janë dorëzuar vetëm katër nga 28 trupat e pengjeve të vdekur, pas lirimit të 20 pengjeve të gjallë një ditë më parë.
Sipas vlerësimeve të Izraelit, të raportuara nga CNN javën e kaluar, Hamasi mund të mos jetë në gjendje të gjejë dhe të kthejë të gjitha trupat e mbetura në Gaza.