Juristi Ardian Bajraktari ka sqaruar përmes një postimi në rrjete sociale dispozitat ligjore që ndëshkojnë cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe falsifikimin e rezultateve të votimit, duke theksuar se të dyja këto vepra janë të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe mbrojnë të drejtën kushtetuese të votës së lirë.
Sipas Bajraktarit, e drejta e votës është e garantuar me nenin 45 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se ajo është e drejtë personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.
Ai ka kujtuar se neni 210 i Kodit Penal sanksionon veprën e “cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve”, e cila ndëshkon çdo person që me përdorim force, kanosje serioze apo keqpërdorim të varësisë ekonomike e profesionale ndikon apo detyron votuesin të votojë në një mënyrë të caktuar ose të mos votojë fare.
“Për këtë vepër parashihet dënim nga një (1) deri në pesë (5) vjet burgim,” tha Bajraktari.
Në lidhje me falsifikimin e rezultateve të votimit, ai ka cituar nenin 216 të Kodit Penal, sipas të cilit ndëshkohet çdo person që shton, heq apo fshin vota ose nënshkrime, regjistron në mënyrë të pasaktë rezultatin e zgjedhjeve apo publikon rezultate që nuk përputhen me votimin real.
“Kjo vepër dënohet me burgim nga një (1) deri në tre (3) vjet, ndërsa kur kryhet nga anëtar i komisionit zgjedhor ose person që keqpërdor pozitën, dënimi është nga tre (3) deri në pesë (5) vjet,” ka sqaruar Bajraktari.
Ai ka theksuar se këto dispozita penale i referohen personave të përfshirë në procesin zgjedhor, të cilët kanë përgjegjësi direkte në administrimin dhe raportimin e rezultateve.
Në fund, Bajraktari ka komentuar edhe për roli e mediave dhe publikimin e sondazheve gjatë procesit zgjedhor, duke kujtuar se këto janë të rregulluara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, në kapitullin VIII.
Sipas tij, shkeljet nga subjektet politike adresohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa ato nga mediat në Komisionin e Pavarur për Media (KPM).