Insajderi
Lajme

Shkeli të drejtat e punëtorëve, shkalla e dytë e Komerciales e detyron Telekomin t’i paguajë gjobat me përmbarim

Insajderi
16 October 2025 - 15:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Shkeli të drejtat e punëtorëve, shkalla e dytë e Komerciales e detyron Telekomin t’i paguajë gjobat me përmbarim
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shkalla e parë e Gjykatës Komerciale e kishte miratuar si të bazuar ankesën e Telekomit të Kosovës, të cilët s’i pranonin vendimet gjobvënëse të Inspektoratit të Punës. Megjithatë, shkalla e dytë e kësaj gjykate iu ka dhënë të drejtë punonjësve, duke validuar disa prej vendimeve të gjobave të këtij Inspektoratit.

Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë disa nga aktvendimet e shkallës së dytë të Komerciales, të cilat kanë rrëzuar si të pabazuara ankesat e Telekomit të Kosovës dhe për prapësim të procedurave përmbarimore.

Në aktvendimin me numër 588/25 të datës 9 korrik të këtij viti, konfirmohet vendimi i shkallës së parë për pagesën e detyrimeve në lartësi prej tre mijë eurove.

“Andaj, Gjykata Komerciale – dhoma e shkallës së dytë vlerëson së gjykata e shkallës së parë drejte ka vendosur kur e ka refuzuar në tërësi prapësimin e debitorit, me arsyetimin se në bazë të shkresave të lendes rezulton se vendimi mbi të cilin përmbaruesi privat e ka lejuar urdhrin përmbarimor të debitorit me konkret Vendimit Nr.01/56-280/2023-GJ të datës 06.12.2023, i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm me datën 02.02.2024, paraqet dokument përmbarimor në kuptim të dispozitave të LPP-së, për shkak se përmban vulën e ekzektueshmëris dhe plotfuqishmërisë, si dhe vendimi mbi bazën e të cilit është nxjerrë urdhri përmbarimor i plotëson kushtet në kuptim të nenit 22 par.1 të Ligjit për Procedurën Përmbarimor”, thuhet ndër të tjera.

Njësoj ka vepruar shkalla e dytë edhe me një vendim të 2 korrikut me numër 590/25 në një rast tjetër të shkeljes së të drejtave të punëtorëve, ku Telekomi në bazë të këtij vendimi detyrohet që të paguajë shumën prej 4,500 eurosh.

“Gjykata Komerciale – Dhoma e shkallës së dytë nuk i ka pranuar pretendimet ankimore për shkelje të dispozitave të ligjit të procedurës përmbarimore, pasi që gjykata e shkallës së parë duke vlerësuar drejtë provat të cilat i ka pasur në dispozicion në shkresat e lëndës të ofruara nga ndërgjyqësit, ka vendosur drejtë në dispozitiv të aktvendimit, duke dhënë arsye përkatëse në pjesën arsyetuese të aktvendimit të atakuar dhe drejtë ka aplikuar edhe Ligjin e Procedures Përmbarimore”, thuhet në këtë aktvendim.

Në një rast tjetër të vitit 2024, në aktvendimin nr. 133/24 të Gjykatës Komerciale të Kosovës, shkalla e parë, konsiderohet se Telekomi tërhoqi padinë për shkak se nuk kishte paguar taksat sipas afatit e as deri në diten e nxjerrjes së aktvendimit.

“Paditësi (Telekomi) më 12.03.2024 ka paraqitur padi kundër të Paditurit, me të cilën kishte kërkuar anulimin e vendimit të shkallës së dytë me numër IP. Nr. 24/2024 i datës 02.02.2024 dhe i shkallës së parë nr.01/56-280/2023-GJ i datës 25.09.2023 të së paditurit Republika e Kosovës, Qeveria e Kosovës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Organi i shkallës së Dytë i Inspektoratit të Punës me seli në Prishtinë. Meqenëse paditësi nuk kishte bashkëngjitur padisë vërtetimin mbi pagesën e taksës gjyqësore, kjo gjykatë më datë 13.03.2024 paditësit ia ka dorëzuar vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore, ndërsa i njëjti e ka pranuar vërejtjen me datën 15.03.2024”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin që ka parë Insajderin.

Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për gjobat e Inspektoratit të Punës në drejtim të Telekomit të Kosovës, si pasojë e shkeljeve flagrante të të drejtave të punonjësve. Vlera e këtyre gjobave prek shifrën e mijëra eurove.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e vitit të kaluar ka përmendur gjoba të majme që kapin shifrën deri në 46 mijë euro ndaj Telekomit.

Gjykatësja e Gjykatës Komerciale, Vlora Pacolli, motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit, në dy raste të veçanta kishte nxjerrë vendim në shkallë të parë duke i dhënë të drejtë Telekomit të Kosovës në ankesat e tyre lidhur me gjobat që ua ka shqiptuar Inspektorati i Punës.

Inspektorati i Punës si mbikëqyrës i Ligjit të Punës ka gjobitur në vazhdimësi Telekomin e Kosovës.

Ndërmarrja publike e ka shkelur një udhëzim administrativ që është obligativ të zbatohet edhe për ndërmarrjet publike. Përmes evitimit të këtij udhëzimi administrativ, kryeshefja ekzekutive Burbuqe Hana përzgjedhte njerëzit e preferuar të saj nëpër konkurse.

Kjo manifestohej përmes largimit të testit me shkrim, kufizimit të afatit kohor për ankesa dhe përfshirjeve të saj nëpër komisione vlerësuese.

Nga Telekomi i Kosovës kanë pasur fjalë të rënda për Inspektoratin e Punës. Zyrtari kryesor i Financave dhe Thesarit në Telekom, Feim Kelmendi – i cili e ka shpërfaqur haptazi mbështetjen ndaj VV’së – e ka cilësuar si “gjobëvënës të paligjshëm” institucionin në krye të së cilit po qëndron jashtëligjshëm Hekuran Nikçi, i emëruar nga Qeveria Kurti.

“E konfirmojmë që Inspektoriati i Punës i ka shqiptuar disa gjoba adminstrative ndaj Telekomit te Kosovës. Këto gjoba i kemi konsideruar të jashtëligjshme dhe jashtë kompentencave të Inspektoriatit te njëjtat i kemi atakuar edhe në gjykatë. Inspektoriati i Punës në fakt ka dalë tërësisht jashtë binarëve të kompetencave që i takojnë me ligj dhe është shndërruar në gjobëvënës të paligjshëm ndaj Telekomit të Kosovës, duke shqiptuar në vazhdimësi gjoba të jashtëligjshme ndaj Telekomit të Kosovë. Arsye për këto sigurisht mund të i dinë vetëm ata”, deklaronte Kelmendi në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

“Telekomi i Kosovës si ndërmarrje publike nuk është e obliguar të zbatoje UA Nr. 07/2017, Telekomi i Kosovës procesin e rekrutimit  dhe konkurseve publike dhe te brendshme e ka të rregulluar me rregullore të brendshme, rregullore e cila eshte aprovuar nga Bordi i Drejtoreve. Kjo rregullore është ne harmoni te plote me Ligjin e Punes te cilin Telekomi i Kosoves është i obliguar ta zbatoje. Sicili konkurs i brendshëm ose i jashtëm që është zhvilluar nga Telekomi i Kosovës është zhvilluar në harmoni të plotë me rregulloren e brendshme”. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark