Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në orët e pasdites në Pejë. Në një video ekskluzive të siguruar nga Insajderi, shihet Mahmut Hoxhaj duke shtënë me armë zjarri. Si pasojë, të plagosur kanë mbetur Alfred Uka, punëtor në Komunën e Pejës, dhe Afrim Gashi.
Sipas burimeve të mirëinformuara të Insajderit, motivi i sulmit dyshohet të ketë qenë hakmarrja. Personat që ishin në shënjestër të të dyshuarit nuk janë ata që në fakt u goditën nga sulmi. Burimet tregojnë se cak i sulmit kanë qenë tre persona të tjerë, të cilët kohët e fundit janë liruar nga paraburgimi. Ata, vite më parë, ishin arrestuar nën akuzën për vrasjen e një anëtari të familjes së të dyshuarit.
Po sipas burimeve të Insajderit, për Hoxhajn ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, si dhe veprën “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Për veprën e parë parashihet dënim me burgim jo më pak se 10 vjet dhe deri në 25 vjet, ndërsa për të dytën parashihet gjobë deri në 7,500 euro ose burgim deri në 5 vjet.
Detaje nga ngjarja e rëndë
Hoxhaj kishte pritur viktimat derisa të dilnin nga qendra e paraburgimit. Pasi i ka pikasur, ka shtënë në drejtim të tyre me dy armë të gjata. Edhe pse ishte përplasur me rrethojat, ai kishte vazhduar të shtinte. Madje, kishte marrë armët që i kishte rënë në tokë dhe kishte vazhduar të qëllonte. Pas ndërhyrjes së Policisë, ai është arrestuar në vendin e ngjarjes.
Ai kishte lënë të ndezur veturën e tij të tipit Passat, me qëllim që të arratisej pas sulmit, por arrestimi nga Policia ndodhi para se të mund ta realizonte këtë plan.
Prokurori ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit
“Ne kemi parashtruar kërkesë për paraburgim dhe seanca do të mbahet nesër. Presim që Gjykata ta miratojë kërkesën tonë,” ka thënë për Insajderin prokurori i krimeve të rënda në Pejë, Ersan Qavolli.
Ndërkohë, avokati i të dyshuarit, Fanol Krasniqi, e ka konfirmuar për Insajderin se seanca do të mbahet nesër në orën 11:00.
Insajderi ka mësuar gjithashtu se Mahmut Hoxhaj është i dyshuar për përfshirje në 43 raste të ndryshme penale, në 25 prej tyre si i dyshuar kryesor.