Insajderi
Lajme

“Hortikultura” e ‘braktisur’ nga Komuna- punëtorët që gjelbërojnë Prishtinën ende pa paga, objekti në gjendje të mjerueshme

Insajderi
24 October 2025 - 12:25
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Hortikultura” e ‘braktisur’ nga Komuna- punëtorët që gjelbërojnë Prishtinën ende pa paga, objekti në gjendje të mjerueshme
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Punëtorët e ndërmarrjes publike “Hortikultura” në Prishtinë po vazhdojnë të punojnë në kushte të rënda, ndërkohë që pagat e muajit gusht ende nuk u janë ekzekutuar, ndonëse jemi në fund të tetorit.

Në pamjet e siguruara nga Insajderi, shihet objekti që ndodhet te Qafa në Prishtinë, ku punëtorët e kësaj ndërmarrjeje mbjellin dhe përgatisin farat e luleve që më pas vendosen nëpër hapësirat publike të kryeqytetit.

Ky objekt shihet në gjendje të mjerueshme.

Mungesa e kushteve elementare tregojnë realitetin e vështirë me të cilin përballen punëtorët çdo ditë.

FOTO:

Gazeta Insajderi ka telefonuar kryetarin e sindikatës së kësaj ndërmarrje, i cili tha kanë marrë premtime nga kryetari Rama, por nuk ka asgjë konkrete deri tash.

“Një ditë ka qenë në vizitë kryetari i Komunës. Sipas tij, nuk është faji te komuna, por te Qeveria që nuk i lejuar të hyrat. Tash pse e qysh, na nuk e dimë. Na tha që deri në tetor po shpresojmë që ka me u zgjidh kjo çështje. Tetori veçse u kry gati, s’po di tash. Realisht as ata vet nuk janë ka e din ku është fundi,” tha Shaip Arifi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të “Hortikulturës”.

Ai shtoi se punëtorët janë të lodhur nga pritjet dhe premtimet që nuk po përmbushen.

“Na jemi kompani 100 përqind e financuar prej komunës, por komuna për momentin nuk ka buxhet. Për objekt nuk kemi të hyra, buxheti i ndërmarrjes shkon vetëm në paga. Kaniherë bojmë kërkesë edhe me na rritë pagat, po kur e shohim gjendjen e ndërmarrjes, është pak vështirë”, shtoi Arifi.

Në një përgjigje për Insajderin në vitin 2023, drejtoresha e “Hortikulturës”, Nora Gagica, kishte deklaruar se vonesat e pagave ndodhin për shkak të mospagesave nga Komuna e Prishtinës ndaj ndërmarrjes.

Gazeta ka kontaktuar Komunën e Prishtinës por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje. Insajderi.org


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark