Dy raste të padëgjuara më parë kanë ndodhur në një ndeshje në ligën elitare të futbollit në Shqipëri, duke hedhur kështu dyshime për një trukim të mundshëm të ndeshjes.
Ndeshja mes Bylisit dhe Vorës e zhvilluar në kuadër të xhiros së nëntë të Superiores dyshohet se është e kurdisur.
Mediat shqiptare kanë hedhur dyshime për këtë ndeshje pas publikimit të pamjeve që tashmë janë bërë virale, si dhe të dhënat nga kompanitë e basteve të cilat e kishin bllokuar ndeshjen qysh në pjesën e parë.
Edhe pse me një futbollit më pak nga minuta e 18-të, Bylisi arriti të shënojë fitore përballë Vorës me rezultat 2:1.
Dyshimet për një kurdisje kishin nisur shumë herët pas veprimeve të kompanive të basteve, teksa “ishin vërtetuar” pas veprimeve skandaloze të trajnerëve e stafit të skuadrës që ndodheshin në bankën rezervë.
Kompania e njohur e basteve, “bet365” e kishte bllokuar ndeshjen në minutën e 58-të, akoma pa u barazuar rezultati.
Sikurse “bet365” kishte vepruar edhe kompania tjetër e basteve, “1XBet”. Ndërkaq, kompania “Crownbet” i kishte mbyllur bastet për këtë ndeshje nëntë minuta pas fillimit të saj.
Kur po luhej pjesa e dytë, konkretisht në minutën e 47-të, trajneri i portierëve i skuadrës së Bylisit, Arbër Sino, është parë duke folur në telefon.
Sino, pasi dëgjon se çfarë thuhet në telefon, ia kalon telefonin për komunikim ndihmëstrajnerit Arlindo Rrustemi, i cili po drejtonte ndeshjen edhe pse trajneri i Bylisit, Mirel Josa, ishte në bankinë.
Nga pamjet e publikuara shihet qartë se dyshja e trajnerëve ishin duke biseduar në telefon me dikë edhe pse përdorimi i telefonit është i ndaluar.
Për t’i parë pamjet klikoni KËTU.
Trajneri i Bylisit, Mirel Josa pas takimit ishte pyetur se përse nuk ishte entuziast për fitoren e skuadrës së tij, duke deklaruar se ndeshjen ja kishte besuar ndihmësve të tij.
“Direktivat iu ishin dhënë lojtarëve, thashë mos të jap njëherë, por të japin direktiva ndihmësit e mi. Nëpërmjet meje sigurisht”, kishte deklaruar Josa.