Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë tenderin në vlerë prej 1,620 euro për blerjen e dollapëve, raftave dhe tavolinave të punës për Ndërmarrjen Tregtare Grafike Blendi O.P. Kjo e fundit njihet si firmë që ka marrë një numër të madh tenderësh përgjatë Qeverisë Kurti. Madje, kryeministri në detyrë e kishte vizituar këtë firmë dhe kishte përkrahur publikisht atë.
Për një dollap të hapur, një të dhuratave, tri për dosje, një raft dhe dy tavolina pune Gjykata Kushtetuese do t’ia paguajë 1,620 euro Ndërmarrjes Tregtare Grafike Blendi O.P., raporton Gazeta Insajderi.
Ndonëse vlera e parashikuar e Kushtetueses ishte 2,200 euro, kompania në fjalë kishte ofertuar me çmimin më të ulët.

Firma në fjalë nuk është hera e parë që përfiton nga institucionet publike. Hiç më larg se në shtator të këtij viti, Zyra e Presidentes përmes një tenderi për shërbime për aktivitete protokollare, vlera e përgjithshme e kontratës së dhënë ishte 4,514 euro.
Minsitria e Mbrojtjes, në korrik të këtij viti ka njoftuar se ka dhënë tender për “Shërbimet dhe furnizim me mbuloja (tenda) dhe kamuflazhë per sisteme të armatimit dhe automjete per nevojat e FSK-së”.
Për këtë kontratë, kishte marrë 27 mijë euro.
Gjithashtu, në korrik të këtij viti njëjta kompani ka marrë edhe një tender nga Ministria e Punëve të Jashtme për “shërbime të ndryshme për nevojat e MPJD-së”. Vlera e kontratës ishte 903 euro.
Si u ‘shpërblye’ furnizuesi i VV-së?
Në nëntor të vitit 2024, Zyra e Kryeministrit i dha kësaj kompanie një kontratë në vlerë prej 11,390 eurosh për furnizime me materiale zyrtare. Pak muaj më parë, e njëjta zyrë i kishte dhënë një tjetër kontratë në vlerë prej 47,000 eurosh.
Një muaj më vonë, përmes procedurave të negociuara, Shërbimi Korrektues i Kosovës, i kishte dhënë tender për kantinën e të burgosurve. Kontrata kishte një vlerë prej 298,783 euro.
Ndërsa, edhe MPJD i kishte dhënë një tender tjetër, që vlerën e parashikuar e kishte 90 mijë eurove.
Lidhja e Ndërmarrjes Tregtare Grafike Blendi me pushtetin
Kompania “Blendi” është ndër bizneset e rralla që u vizitua nga kryeministri Kurti.
Ai madje i kishte dedikuar edhe një postim promovues duke thënë “kompani të tilla do ta kenë gjithmonë mbështetjen tonë“.
“Japin shembull se si në Kosovë mund të përfitosh me punë”, thotë Kurti në videon e publikuar në vitin 2023.


Kjo kompani është furnizues i lidhur ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas, raportit Vjetor Financiar të publikuar në KQZ, për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023, Vetëvendosje nga kompania “Blendi” ka blerë mallra në vlerë prej 6120 euro.
Në raportin e vitit 2022, te kompania e njëjtë, Vetëvendosje ka blerë mall në vlerë prej 6,300.32 euro.

Sipas formularit “Lista e donacioneve të Subjekteve Politike për zgjedhjet lokale të vitit 2021”, po ashtu del se nga kjo kompani ishin blerë shërbime.
“Shtypja e materialeve reklamuese”. Kështu quhet shërbimi që Vetëvendosje e kishte blerë nga NTG “Blendi” në vlerë prej 10, 015.26 euro. /Insajderi.org/