Insajderi
Lajme

Dogana sekuestron produkte të dyshuara kontrabandë – në hetim doktori i famshëm, Hajrullah Binakaj

Insajderi
30 October 2025 - 18:51
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dogana sekuestron produkte të dyshuara kontrabandë – në hetim doktori i famshëm, Hajrullah Binakaj
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Dogana e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të produkteve Botox dhe Maspoert, të dyshuara si të kontrabanduara dhe të falsifikuara, me origjinë nga Irani.

Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Insajderi, janë sekuestruar produktet e mëposhtme:

Dysport 500 units/vial – 30 copë

Masport 500 – 90 copë

Hyonax Plus Deep 2x1ml – 1 copë

Hyonax Plus Extra Deep – 1 copë

Hyonax Plus Fine 2x1ml – 1 copë

Produktet janë sekuestruar nga Sektori Anti-Kontrabandë (njësia AK-5) dhe ndodhen nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e procedurave hetimore.

Në lidhje me rastin, është shoqëruar për intervistim Dr. Hajrullah Binakaj nga Gjakova, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në transportimin dhe shpërndarjen e produkteve të sekuestruara.

Binakaj ka një histori të mëparshme ligjore.

Ai ka qenë më parë i akuzuar për trajtime të papërgjegjshme mjekësore në cilësinë e mjekut internist në spitalin privat “Heart” në Gjakovë, ku sipas aktakuzës përdorimi i metodave të papërshtatshme mjekësore kishte çuar në përkeqësimin e gjendjes së një pacienteje.

Prokuroria kishte kërkuar ekspertizë mjeko‑ligjore, ndërsa Binakaj kishte deklaruar pafajësinë e tij.

Produktet e sekuestruara janë dërguar për analiza laboratorike, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante.

Autoritetet theksojnë se të gjithë personat e përfshirë mbeten të dyshuar deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjes së vendimeve ligjore përfundimtare.

Gazeta Insajderi ka kërkuar një përgjigje nga doktori Binakaj dhe nga Dogana e Kosovës, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark